26 vjet. Protesta e Lëvizjes Studentore e ‘97-s i dha shpirt platformës për çlirim dhe shtet të pavarur
Sot janë mbushur 26 vjet nga protesta e Lëvizjes Studentore e vitit 1997.
Ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat të cilat u organizuan për ta kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga të cilat studentët ishin dëbuar nga regjimi i kasapit Slobodan Millosheviqi në fillim të viteve ’90.
Përpos masave të dhunshëm që regjimi kishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë dhe profesorë nga universiteti dhe imponoi planprogramin serb për mësim. Kjo protestë konsiderohet si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe. Për ta shpërndarë protestën paqësore, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.
Në ballë të kësaj proteste ishin liderët e Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, së bashku me rektorin e atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci. Pas tyre, në këtë protestë ishin edhe mijëra studentë e profesorë, shkruan “Epoka e re”.
26-vjetorin e protestës studentore të 1 tetorit të vitit 1997, e kanë kujtuar liderët e kësaj lëvizje dhe profesorë universitarë që ishin pjesë e kësaj proteste.
Sot në këtë përvjetor theksohet se kjo lëvizje u bë simbol i rezistencës së rinisë dhe qytetarëve të Kosovës ndaj regjimit serb dhe u shndërrua në promotor të luftës për liri dhe pavarësi.
Kjo ngjarje, thuhet nga profesorët universitarë, duhet të shënohet në tekstet shkollore dhe të kujtohet nga gjeneratat e reja si akt sublim i fillimit të procesit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Ish-kryetari i Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Lëvizja Studentore e cila filloi më 1 tetor të vitit 1997 me atë qe njihet si protestat e 1 tetorit, ishte nder ngjarjet më të rëndësishme historike në Kosovë në fund të shekullit XX.
“Kjo lëvizje u bë simbol i rezistencës së rinisë dhe qytetarëve të Kosovës ndaj regjimit serb dhe u shndërrua në promotor të luftës për liri dhe pavarësi. Në këtë 26-vjetor, kujtojmë me respekt aktivistet dhe luftëtarët e lirisë, nga radhët e kësaj lëvizja, qe ranë ne altarin e lirisë, si dhe kontribuuesit e shumtë student dhe profesor të Universitetit të Prishtinës qe u rreshtuan në rrugën e drejt të lirisë së Kosovës. Përkujtimi i këtyre datave historike duhet të na shërbej për motivim edhe me të madh, për ta dashur edhe me shumë Universitetin, Kombin dhe Shtetin”, ka thënë Dugolli.
Edhe Driton Lajçi, njëri nga drejtuesit e kësaj lëvizje, ka thënë se është emocion i veçantë dhe krenari e madhe kur kujton atë elan të madh studentor. “Krenar dhe me fat që kam qenë njëri nga drejtuesit e saj. Slogani jonë kryesor ishte ‘Universiteti, Kosova, studentët, sot, nesër vone’. Ndërsa për brezin e gjeneratës sime, sot, nesër e përgjithmonë faleminderit për kontributin e dhënë për Universitet, liri dhe nderim studentëve të rreshtuar në UÇK që ranë për lirinë e Kosovës. Sot të përfitojmë nga modeli i atdhedashurisë që praktikuam ne dhe ta zbatojmë në objektivat e sotme. Qe të kemi Universitet dhe arsimim cilësor dhe ndërlidhje ndërmjet arsimit dhe ekonomisë. Ndërsa, ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë t’i përgjigjemi me unitet dhe mbështetje ndaj atyre që po sakrifikojnë duke e mbrojtur shtetin e Kosovës çdo ditë të lumit Zot”, ka theksuar Lajçi.
Gjithashtu edhe Muhamet Mavraj njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore ka thënë se më 1 tetor është mposhtur frika e Kosovës, ka rënë miti i frikës dhe secili shqiptar është ndier mirë, më solidar me tjetrin. “Me një fjalë, u rikthye vlera tradicionale. Përvjetorët e 1 tetorit ushqejnë një impuls krenarie, natyrisht, por na bëjnë t’i kujtojmë shumë shokë tanët dëshmorë”, ka theksuar Mavraj, i cili në përvjetorin e 25-të, një vit më parë, të kësaj ngjarje historike, kishte vizituar në Hagë çlirimtarët të cilët po mbahen në paraburgim, duke theksuar se në këtë përvjetor askush më shumë sesa këta nuk meriton respektin dhe përkrahjen.
“Kjo ngjarje duhet të shënohet në tekstet shkollore dhe të kujtohet nga gjeneratat e reja…”
Profesori dhe ish-rektori i UP-së, Arsim Bajrami, njëri nga organizatorët e kësaj proteste, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se protestat e 1 tetorit të vitit 1997, ishin një momente kthese dhe fillim thyerjes së Serbisë dhe ish Jugosllavisë në Kosovë.
“Këto protesta thyen mitin e pamposhtëmërisë së Serbisë, duke i dhënë fund nënshtrimit dhe rezistencës paqësore si një kushtrim lirie, që u bë realitet me luftën heroike të UÇK-së”, ka thënë ai.
Bajrami ka thënë se duke kujtuar 26-vjetorin e kësaj proteste madhështore, kur studentë e profesorë u bënë bashkë kundër robërisë, sot kujtojmë me pietet rektorin e atëhershëm të UP-së, Ejup Statovci dhe udhëheqësit e studentëve.
“Në mënyrë të veçantë ata që rënë në altarin e lirisë në luftën çlirimtare të cilës iu bashkëngjiten. Kujtojmë Edmond Hoxhen, Zahir Pajazitin e Hakif Zejnullahun me shokë, që ishin në rreshtat e parë të kësaj proteste, e pastaj edhe luftës së lavdishme të UÇK-së. Si një nga organizatorët e kësaj proteste bashkë me kolegët dhe studentët e Fakultetit Juridik jemi krenar se këto protesta frymëzuan heronjtë dhe martirët që dhanë jetën në shërbim të atdheut, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kjo ngjarje duhet të shënohet në tekstet shkollore dhe të kujtohet nga gjeneratat e reja si akt sublim i fillimit të procesit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, është shprehur profesori Bajrami.
Edhe ish-rektori i Universitetit të Prishtinës dhe një nga pedagogët pjesëmarrës në protestën e 1 tetorit 1997, Ibrahim Gashi, ka theksuar për gazetën “Epoka e re” se protestat studentore të vitit 1997, veçmas ajo e 1 tetorit, paraqesin nivelin më të artikuluar të joviolencës aktive në lëvizjen e deritashme politike të shqiptarëve të Kosovës.
“Shumë studiues e cilësuan atë si zëvendësim të lëvizjes paqësore pasive me një veprim joviolent aktiv. Efektet e këtij veprimi të vendosur të studentëve ishin të menjëhershme. Me këtë lëvizje studentore u bë mjaftueshëm e qartë se çdo formë e rezistencës paqësore, sado e organizuar në mënyrë përfekte, përballë regjimit okupues serb do të ngelë pa efekte. Faktori ndërkombëtar që kishte interesim për zhvillimet në Ballkan dhe në Kosovë nga kjo lëvizje studentore e kuptoi seriozitetin e situatës shpërthyese dhe qartësoi pozicionet e veta karshi palëve rivale. Edhe faktori vendor u ndërgjegjësua se lëvizja paqësore e rezistencës nuk mund të prodhonte më asnjë efekt konkret në përpushjen e platforma politike të shqiptarëve të Kosovës ndaj dhe gradualisht pas kësaj lëvizjeje po hapej perspektiva për një strategjie te luftës së armatosur midis palëve. Krejt në fund, me të drejtë mund të konstatojmë se protestat studentore të vitit 1997 janë hallka e fundit e lëvizjes së rezistencës paqësore, e cila arriti të lidhet, mbase edhe të shndërrohet në hallkën e parë të rezistencës së armatosur të UÇK-së, e cila e vitalizoi, i dha shpirt dhe e sendërtoi platformën e Kosovës për çlirim dhe shtet të pavarur. Pikërisht këtu qëndronte rëndësia e kësaj lëvizjeje historike studentore dhe si e tillë do të zërë vend në historinë e re të Kosovës”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se Universiteti i Prishtinës mund të cilësohet jo vetëm si truri, por edhe si forca kryesore vepruese e lëvizjes politike kosovare që mundësoi në gjithë etapat e saj sendërtimin e platformës kombëtare për liri dhe shtet.
/Epoka e re/