26-vjetori i ‘Epopesë së UÇK’-së, Haradinaj dhe Limaj bëjnë homazhe në Prekaz
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz në 26-vjetorin e “Epopesë së UÇK”-së.
Haradinaj ka thënë se akti heroik i familjes Jashari dhe komandantit Adem Jashari, e ka përforcuar vendosmërinë dhe rezistencën e popullit të Kosovës.
“Në rrëfimin e një prej kapitujve më të lavdishëm të historisë sonë kombëtare, emri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari ngrihet si një simbol i pashembullt i rezistencës dhe heroizmit. Sot në vendin e shenjtë, në Prekaz, nderuam ata me të cilët na bashkuan idealet, e trashëgimia e të cilëve vazhdon të na mbajë të bashkuar dhe të fortë. Shtëpia e Jasharëve u bë një simbol i luftës për lirinë, një fortifikim i vendosur kundër shtypjes dhe okupimit. Nëpërmjet guximit dhe vendosmërisë së tyre, ata u bënë një shembull për gjithë kombin tonë, duke treguar se edhe nën shtypjen më të rëndë, rezistenca është e mundur dhe se fitorja ndaj armikut është e arritshme. Familja heroike Jashari, udhëhequr nga Komandanti legjendar Adem Jashari, nuk u përul para shtypjes dhe okupimit, por zgjodhën të qëndronin drejt për lirinë e tyre dhe të gjithë kombit. Sakrifica e tyre nuk mund të shihej si një ngjarje e vetme, por si një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë. Akti i tyre heroik përforcoi vendosmërinë dhe rezistencën e popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë së plotë. Për secilin prej nesh, ‘Epopeja e UÇK’-së na e sjellë në vëmendje rëndësinë e lirisë që e gëzojmë. Epopeja e UÇK-së vazhdon të jetë një moment lavdie, frymëzim për të ardhmen tonë si shtet i lirë dhe i pavarur, i integruar në BE dhe NATO, dhe në një marrëdhënie të ngushtë me ShBA-në. Lavdi familjes emblematike Jashari, lavdi të rënëve për liri!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ndërsa Fatmir Limaj ka thënë se Prekazi është vendi ku pavarësia dhe liria kanë marrë jetë dhe do të jetë në obligimin tonë gjithnjë për të qenë në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.
“Gjithashtu, kujtojmë sakrificën e pashembullt të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Flijimi për liri i familjes Jashari është shembulli më unik, i cili na kujton që, ajo që sot e gëzojmë është rezultat i sakrificës së kësaj familjeje. Duke nderuar ‘Epopenë’ dhe familjen Jashari, nderojmë gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e vendit tonë. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka thënë Limaj.