
27 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë
Lulëzim ETEMAJ
Dita e sotme shënon 27-vjetorin e fillimit të luftës në Kosovë. Ajo nisi në fshatrat Likoshan e Qirez të Drenicës, ku, me urdhër të Milosheviqit, filloi ofansiva e madhe e forcave serbe.
Në betejën e hapur në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, të cilat e përdorën edhe artilerinë e rëndë, mbetën të vrarë disa pjesëtarë të tyre. Si pasojë e kësaj, forcat serbe rrethuan këto dy fshatra ku i ekzekutuan 24 civilë shqiptarë.
Kjo masakër, njihet si e para ndaj civilëve shqiptarë e kryer nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Zhvendosja e luftës nga ana e Serbisë, prej luftës kundër UÇK-në, në luftë kundër popullatës civile shqiptare, shënon fillimin e zbatimit të projektit shtetërorë serb- gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë.
Gjatë periudhës kohore shkurt 1998- qershor 1999, sa zgjati lufta në Kosovë, forcat serbe dëbuan më dhunë afër 1 milionë shqiptarë, vranë mbi 15.000 civilë- pleq, burra, gra dhe fëmijë, 2.400 prej tyre pjesëtarë të UÇK-së. Në këtë periudhë kohore forcat serbe kanë përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare, kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj. Gjatë luftës ato kanë burgosur mbi 1 360 veta, ndërsa i zhdukën rreth 5.000 të tjerë.
Kjo luftë, që filloi më 28 shkurt 1998, ka zgjatur deri më 10 qersor 1999, është zhvilluar mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushatarake dhe policore serbe. Ndërsa nga 24 mars 1999 deri më 10 qershor 1999, në të ka qenë e përfshirë edhe NATO përmes sulmeve ajrore mbi caqet ushtarake serbe. Për pasojë, Slobodan Milosheviq u detyrua të nënshkruajë kapitullimin e Serbisë në Kosovë më 9 qershor 1999 në Kumanovë.