27 vjet nga protestat studentore të 1 Tetorit
Sot janë mbushur 27 vjet nga protesta e Lëvizjes Studentore e vitit 1997.
Ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat të cilat u organizuan për ta kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga të cilat studentët ishin dëbuar nga regjimi i Slobodan Millosheviqit në fillim të viteve ’90.
Përpos masave të dhunshëm që regjimi kishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë dhe profesorë nga universiteti dhe imponoi planprogramin serb për mësim.
Kjo protestë konsiderohet një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe. Për ta shpërndarë protestën paqësore, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.
Në ballë të kësaj proteste ishin liderët e Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, së bashku me rektorin e atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci. Pas tyre në këtë protestë ishin edhe mijëra studentë dhe profesorë, shkruan “Epoka e re”.
27-vjetorin e protestës studentore të 1 tetorit të vitit 1997 e kanë kujtuar liderët e kësaj lëvizje dhe profesorë universitarë që ishin pjesë e asaj proteste.
Sot në këtë përvjetor theksohet se kjo lëvizje u bë simbol i rezistencës së rinisë dhe qytetarëve të Kosovës ndaj regjimit serb dhe u shndërrua në promotor të luftës për liri dhe pavarësi.
Kjo ngjarje, thonë profesorët universitarë, duhet të shënohet në tekstet shkollore dhe të kujtohet nga gjeneratat e reja si akt sublim i fillimit të procesit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.