27-vjetrori i protestës së studentëve, Mavraj takohet me Gani Ademin dhe Ahmet Gecën
Me rastin e 27- vjetorit të protestës së studentëve, Ish-kryetari i Kuvendit të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Muhamet Mavraj është takuar me ish-sekretarin e gazetës Bota e re”, Gani Ademin dhe ish-prorektorin financiar, Ahmet Geca.
Ai ka vlerësuar se Gani Ademi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për organizimin e protestës së 1 tetorit të ’97-s.
“Makina e tij private ishte e vetmja për të gjitha nevojat tona, shofer, përcjellës, përgjegjësia financiare e zgjeruar si saç mbi kokë, punë pa orar, lëvizje sidomos me mua kohë e pa kohë, gati tërësisht natën, me telefon të koka në çdo sy gjumi. Rreziku i fillonte që në derë nga fqinjët e tjetrës etni. Fati e ruajti!”, ka shkruar Mavraj në “Facebook”.
Po ashtu, Mavraj ka vlerësuar lartë edhe kontributin e ish-prorektorit financiar Ahmet Geca.
Postimi i plotë i Mavrajt:
Ky njeri këtu nuk ka asgjë me pak merita sesa cilido veprimtar i viteve 1997-99 në universitet. I mbushi 80-te te mira.
Gani Ademi për gati 30 vjet ishte sekretar i gazetës “Bota e re”, 1970-1999. Ka pritur e përcjell të gjitha gjeneratat e gazetareve dhe drejtuesve te “Botes se Re” , dhjetëra e qindra. (Demaku, Rugova, Kraja, Mala, Zogaj, Hamzaj, etj.). Por, me 4 shkurt 1997 kur mora nen drejtim edhe “Botën e Re” do të ndërrojë tërësisht gjithçka nga tempoja e jetës dhe jo vetëm për të.
Ky e dinte se duhet të bëhet i ri edhe një here: në periudhën 1997-99 u zgjeruan angazhimet dhe rreziqet, tani me angazhime edhe për Unionin e Studentëve, paralelisht, në plot detyra. Makina e tij private ishte e vetmja për të gjitha nevojat tona, shofer, përcjellës, përgjegjësia financiare e zgjeruar si saç mbi kokë, punë pa orar, lëvizje sidomos me mua kohë e pa kohë, gati tërësisht natën, me telefon të koka në çdo sy gjumi. Rreziku i fillonte që në derë nga fqinjët e tjetrës etni. Fati e ruajti!
Nuk shkel më këmbë në universitet për kompetencë, etikë, besnikëri e guxim zyrtari sa e Gani Ademit dhe prorektorit financiar Ahmet Geca. Sidomos kah paraja njihen karakteret e vërteta. Po të zgjaste lufta që të dy do të punonin për shtabin e përgjithshëm, sipas rekomandimit. Të dy ishin gati dhe me një mendje për t’u nisur, ndërkohë që dy burra me nam refuzuan me aq frikë të merrnin ndonjë detyrë atje lart. Ndodhi Reçaku e me pas Rambujeja dhe krejt në fund bombardimet e ëndërruara me vite dhe ndryshuan planet e jetës për të gjithë.
Baca Ganë, gëzuar 1 tetorin! Rrofsh sa malet!