2700 fëmijë shijojnë sportet në ‘Fadil Vokrri’
Ka filluar festivali i parë Sportiv për Parafillorët e Komunës së Prishtinës, i cili po organizohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
“Premtoj fort, do të merrem me sport” po mbahet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kurse pjesëmarrës janë rreth tre mijë fëmijë. Qëllimi i Festivalit është masivizimi i sportit dhe joshja e fëmijëve për t’u marrë me sport.
“KOK-u organizon festivalin Sportiv për Parafillorët e Prishtinës për vitin 2019. Ky organizim po bëhet në kuadër të ditës së sportit për zhvillim dhe paqe”, ka thënë Shasivar Haxhijaj, sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës. Në hapje të festivalit kanë qenë të pranishëm kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Gashi, raporton “Epoka e re”.
Fëmijët do ta kenë rastin që për herë të parë ta shpalosin talentin e tyre në futboll dhe atletikë. Dhjetëra ekipe, meshkuj dhe femra, do të synojnë të bëhen kampionët e parë të Prishtinës në futboll, kurse dhjetëra të tillë do t’i provojnë disiplinat e atletikës si: vrapim, kërcim dhe hedhje të gjyles së imituar.