Bahtiri pret në takim ministren e MAPL-së, Emilija Rexhepi
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim ministren e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Emilija Rexhepi, e cila ka qenë e shoqëruar nga zëvendësi i saj, Reshat Nurboja dhe bashkëpunëtorë tjerë, me ç’rast kanë diskutuar lidhur me gjendjen aktuale dhe zbatimin e masave preventive të virusit Covid-19 në këtë komunë.
Fillimisht kryetari Bahtiri, ka njoftuar të pranishmit se deri më tani nuk ka asnjë person të dyshuar dhe të konfirmuar me virusin Covid-19 në Mitrovicë, dhe se Komuna e Mitrovicës ka të formuar shtabin emergjent përmes të cilit ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e këtij virusi.
Gjithashtu, kryetari Bahtiri ka përmendur se si institucion lokal kemi bërë dezinfektimin e të gjitha institucioneve, ndërmarrjeve dhe hapësirave publike, të objekteve kolektive, pastrimin dhe larjen e rrugëve çdo ditë, si dhe zbatimin e të gjitha masave tjera në bazë të udhëzimeve dhe rekomandimeve të Qeverisë së Kosovës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Ndërsa ministrja e MAPL-së, Emilija Rexhepi, ka falënderuar për mikpritjen kryetarin Bahtiri, si dhe ka përgëzuar për masat e ndërmarra si Komunë dhe realizimin me përpikëri të vendimeve dhe rekomandimeve të Qeverisë së Kosovë për parandalimin e pandemisë Covid-19.