273 fermerë të Vushtrrisë përfitojnë serra për kultivimin e prodhimeve vendore

06 mars 2023 | 12:45

Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së serrave, ku kanë përfituar 273 fermerë nga kjo komunë.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë me dije se këto serra janë financuar nga kjo komunë dhe Islamic Relief Kosova, me qëllimin për t’i ndihmuar ekonomitë familjare.

Idrizi ka thënë se për përzgjedhjen e fermerëve fitues është angazhuar një komision, i cili sipas tij ka bërë një punë të mirë.

“Edhe tek ndarja e serrave, ne me vendim e kemi caktuar një komision, që unë e kam pasur besimin e plotë dhe besoj që kanë kryer punën më të mirë në këtë drejtim të ndarjes së serrave. Nuk ka qenë punë e lehtë sepse është dashur të identifikohet secili rast veç e veç në terren por vërtetë e kanë bërë një punë të mirë”, ka thënë Idrizi.

Më tutje, ai ka treguar se subvencionet për bujqësi janë rritur nga 140 mijë euro në 450 mijë.

“Komuna e Vushtrrisë, vlen të theksohet, që vitin që lamë pas, i kemi rritur subvencionet për fushën e bujqësisë nga 140 mijë euro sa kanë qenë në mbi 450 mijë euro me qëllim që t’i ndihmojmë bujqit dhe fermerët”, është shprehur Idrizi, duke shtruar se janë munduar që ndarja të jetë sa më e drejtë, në mënyrë që mos të ankohet askush.

“Pra jemi munduar që kjo ndarje të jetë e drejtë në mënyrë që të mos ankohet dikush nga padrejtësitë dhe të gjitha ato që i kemi ndarë vitin e kaluar ju them sinqerisht nuk e kemi pasur asnjë ankesë, për arsye se kanë përfituar të gjithë qumështarët, për arsye se kanë përfituar të gjithë bletarët, për arsye se kanë përfituar edhe blegtorët domethënë e bagëtive të imëta, të deleve dhe të dhive dhe kanë përfituar edhe fermerët e buallicave”,  ka thënë Idrizi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sfida interesante të luajtura në NBA. Skuadra e Phoenixit fitoi…