277 mijë euro për një vit: Dy lobistët e MPJ-së i shfrytëzuan paratë nëpër dreka në Kosovë, i deklarojnë veç 6 kontakte
277 mijë dollarë janë paguar dy kompani për rreth një vit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, kjo për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kompanitë në pronësi të Afërdita Rakipit e Avni Mustafajt, kanë deklaruar edhe shpenzime shtesë, përveç “lobimit”.
Shumica e shpenzimeve, raportohet të jenë shfrytëzuar në ushqim, gjatë atyre që i kanë deklaruar si takime pune dhe udhëtime.
“REL” raporton që edhe pse sipas kontratës së lobimit do të ofroheshin këshilla strategjike e përfaqësim i MPJD-së “brenda ShBA-ve”, shumica e takimeve janë zhvilluar nëpër restorante të ndryshme në Prishtinë.
Rakipi dhe Mustafaj sipas kontratave, do të paguheshin nga 147 mijë euro për lobim në ShBA për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe”.
Po ashtu, mediumi raporton se lobuesit në ShBA detyrohen t’i dorëzojnë të dhënat çdo gjashtë muaj për aktivitetet e tyre, kështu, kompanitë Afërdita Rakipi Communication dhe Ambal LLC kanë publikuar shpenzimet nga korriku i vitit të kaluar, deri në janar të këtij viti.
Derisa kontratat kanë qenë të vlefshme deri në fund të qershorit 2024, MPJD nuk i ka treguar mediumit nëse kompanive u janë vazhduar kontratat. Po ashtu, nuk ka pasur përgjigje edhe nga Mustafaj, Rakipi dhe Qeveria e Kosovës.
Përpos faturave të ushqimit, ata kanë deklaruar se në periudhën korrik 2023-janar 2024, kanë pasur gjithsej gjashtë kontakte.
Rakipi ka deklaruar dy kontakte, ndërsa Mustafa katër. Një takim virtual me ndihmëssekretarin amerikan, James O’Brien dhe zëvendësndihmës sekretarin, Gabriel Escobar, është deklaruar nga të dy si i mbajtur më 13 tetor.
Kritikat për kontratën
Nënshkrimi i kontratës në fjalë ishte përcjellur me kritika të shumta, krejt kjo, për shkak të dyshimeve për lidhje të afërta mes personave në fjale dhe kryediplomates Gërvalla.
Rakipi ishte parë se kishte lidhje me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla. Kjo e fundit e kishte etiketuar Rakipin në një postim si sfidë leximi në Facebook.
Rakipi në disa postime, ka qenë mbështetëse e kritikave po ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sidomos me qëndrimet amerikane rreth veriut.
“Shtetet e Bashkuara po gërmojnë kundër marrjes së zyrave të tyre nga kryetarët e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ndoshta mund të kishte ndodhur ndryshe, por që kur ne e ndëshkojmë një vend për demokracinë e vet? Diçka seriozisht nuk po shkon me politikën amerikane.” – thuhej në një postim të rishpërndarë nga Rakipi.
Atë kohë, ish-krediplomati, Petrit Selimi, ishte shprehur si vijon:
“Ndërsa qeveria e Kosovës nënshkruan “kontrata konsultimi” me “servilë” në diasporë, të cilët janë në histori publike duke kritikuar qeverinë amerikane, qeveria serbe sapo nënshkroi kontratën e dytë të konsultimit, tani një marrëveshje 720,000 dollarë me prirjen demokratike @KARVComm për të “shpjeguar politikat e qeverisë serbe”. – ka shkruar ai.
Vlen të theksohet se kontrata ishte nënshkruar pak pas tensioneve në veri, për të cilat, Qeveria Amerikane kishte fajësuar Qeverinë e Kosovës, derisa kishte parlajmëruar pasoja në marrëdhëniet mes dy vendeve.