Foshnja një muajshe shërohet nga Covid-19

22 prill 2020 | 14:52

Koronavirusi nuk kursen as foshnjat, por një fëmijë njëmuajsh në Tajlandë ka arritur ta kalojë atë me sukses, falë diagnostikimit të hershëm nga stafi mjekësor.

Një foshnje njëmuajshe është bërë pacienti më i ri që arrin t’i mbijetojë pa pasoja infeksionit me koronavirus.

Pediatrit tajlandezë që i shërbyen foshnjës thanë se ai u diagnostikua më pneumoni dhe Covid-19 që herët, ndaj edhe trajtimi brenda 48 orëve nga zbulimi i sëmundjes ishte vendimtar për shërimin e tij.

Vështirësia më e madhe për autoritetet ishte gjetja e ilaçeve kundër viruseve që nuk do të shkaktonin efekte anësore te trupi i vogël i të porsalindurit.

Kjo pengesë u kalua pas konsultimit me farmacistët.

“Strategjia që përdorëm ishte që fëmija të trajtohej me ilaçe për dhjetë ditë. Shëndetin ia kontrollonim përditë dhe pas tre apo pesë ditësh, radiografitë na konfirmuan shenjat e shërimit gradual. Për fat të mirë mundëm ta zbulojmë që herët pneumoninë e tij,” tregon një nga mjekët pediatër që asistoi foshnjën tajlandeze.

Fëmijët është provuar se përjetojnë simptoma më të lehta të Covid-19 sesa te të rriturit.

Vende si Tajlanda megjithatë nuk po mjaftohen me masat e përgjithshme parandaluese të infeksionit, dhe në spitale të porsalindurit po i pajisin me maska të posaçme për t’i mbrojtur nga bartja e virusit kur ata dalin nga spitali.

Të mërkurën vendi me 70 milionë banorë raportoi 15 raste të reja në popullatë, duke e rritur mbi 2,800 bilancin total të të infektuarve ndërsa 49 persona deri tani kanë humbur jetën.

Autoritetet thonë se numri i ulët tregon suksesin në luftën kundër pandemisë, por gatishmëria ndaj saj vazhdon të mbetet e lartë./oranews/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se…