Nata e 12-të e Prishtinës në karantinë, shtohen lëvizjet e autoambulancave dhe të policisë (Video/Foto)
Kryeqyteti sonte ka hyrë në natën e dymbëdhjetë në karantinë, si masë kjo për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Prishtina edhe të enjten nuk ka pasur asnjë rast të infektuar me Covid-19.
Qytetarët në Prishtinë janë duke respektuar masat që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë për të luftuar pandeminë Covid-19.
Kjo po shihet nga qetësia që po mbretëron edhe sonte në rrugët e kryeqytetit.
Por që dy net në hyrjet dhe daljet e Prishtinës shihen duke lëvizur autoambulanca dhe vetura të policisë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar të enjten në mbrëmje edhe për 39 raste të reja me koronavirus. Vetëm në qytetin e Pejës janë konfirmuar 26 raste me Covid-19.
Ky numër i rasteve të konfirmuara në Pejë janë si pasojë e pjesëmarrjes në një ceremonial mortor më 6 prill 2020.
Me të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 669.
IKSHPK-ja po ashtu ka bërë me dije se janë shëruar edhe 21 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 159 .
Deri më tani në Kosovë kanë vdekur 19 pacientë si pasojë e pandemisë Covid-19.
Më poshtë keni videot dhe fotografitë e realizuar në Prishtinë pas orës 23:30 nga ekipi i “Epokës së re”:
/Epoka e re/