29 janar 1990: Dita e vendimit historik për fillimin e pajtimit të gjaqeve në Kosovë
Më 29 janar 1990, grupi i të rinjve të Pejës, ish-të burgosurë politikë, studentë të Universitetit të Prishtinës, Myrvete Dreshaj, Have Shala, Adem Grabovci, Lulëzim Etemaj dhe Brahim Dreshaj kanë marrë vendimin për të filluar pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave.
Vendimi është marrë në odën e Adem Grabovcit në Pejë.
Nismës së tyre më pastaj i janë bashkangjitur profesorët Anton Çetta e Zekeria Cana si dhe mijëra veprimtarë të tjerë vullnetarë nga e gjithë Kosova.
Duke qenë se nismëtarët e pajtimit të gjaqeve Kosovë i quanin të gjitha trojet shqiptare të mbetura padrejtësisht nën Jugosllavi, ata e përhapën edhe pajtimin e gjaqeve gjithandej.
Njëri nga 5 nismëtarët, Lulëzim Etemaj, e ka kujtuar ditën e sotme duke e quajtur si një ditë e vendimit historik, nga më të rëndësishmit në jetën e tij, njofton „Epoka e re“.
Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë është një lëvizje unike, e pa ndeshur më parë në historinë e popullit tonë dhe jo vetëm. Ajo nxori në pah vlerat humane, kulturën, shpirtbardhësinë, solidaritetin, dashurinë dhe përkushtimin e popullit tonë ndaj lirisë si dhe vlerave më sublime kombëtare.
Me këtë rast Etemaj ka falenderuar bashkënismëtarët dhe ka shprehur ndjenjën e krenarisë me ta, të gjitha familjet që falen gjaqe, plagë e ngatërresa, si dhe mirënjohjen ndaj mijëra veprimtarëve që iu bashkangjitën nismës së tyre dhe kontribuan fuqishëm në pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave.
Më poshtë, për lexuesit e “Epokës së re“ po e sjellim postimin e plotë të Etemajt, të bërë sot në llogarinë e tij në “Facebook”.