29 janari 1990, dita kur u mor vendimi për të filluar Aksionin për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë
Janar 1990. Kosova në shtetrrethim ushtarak dhe policor. Demonstrata pothuajse në çdo qytet të saj. Vrasje dhe plagosje të demonstruesve paqësor nga ana e policisë serbe. Propaganda e Beogradit zyrtar: “Ne nuk po i vrasim demostruesit shqiptarë, por po vriten mes vete shkaku i gjakmarrjes”.
Pesë ish – të burgosur politikë, studentë të posaliruar nga burgjet, idealistë, bëhen bashkë dhe marrin vendim për të nisur me pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave.
Njëri prej tyre, Lulëzim Etemaj, në postimin e tij sot, në përkujtim të përvjetorit të këtij vendimi, e ka quaj 29 janarin e vitit 1990 “datë e një vendimi të madh”.
Postimi i plotë:
29 janar 1990: Data e një VENDIMI të madh!
Krenar që së bashku me ish-të burgosurit politikë, studentë të Universitetit të Prishtinës, Myrvete Dreshaj, Have Shala, Adem Grabovci dhe Brahim Dreshaj më 29 janar 1990 morëm vendimin për të filluar Aksionin për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave në Kosovë.
Më 2 shkurt 1990, në fshatin Lumbardh të Deçanit, kërkuam për herë të parë faljen e gjakut. Krejt çka arritëm në këtë rast, pas përpjekjeve të shumta, ishte një besë 2-mujore. Pjesëmarrës ishin edhe profesorët Anton Çetta dhe Zekeria Cana, të cilët kishin shprehur përkrahjen e tyre ndaj nismës sonë dhe na ishin bashkangjitur në pajtimin e gjaqeve pas ftesën që iu kishim bërë.
Me pastaj u bashkangjitën me mijëra. Pa dallim moshe, gjinie dhe rajoni. Treguan përkushtim dhe vendosmëri shembullore.
Në fund të periudhës njëvjeçare të veprimit zyrtar, 1990-1991, Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë ka shënuar 2511 pajtime. Prej tyre, 1169 janë gjaqe; 477 plagosje, ndërsa 865, ngatërresa. Të gjitha këto vepra humane janë bërë vullnetarisht. Pa asnjë kushtëzim të vetëm. Në emër të gjakut të derdhur për liri, flamurit kombëtar, Kosovës dhe të ardhmes në liri. Pasqyrim i humanizmit, shpirtbardhësisë dhe vetëdijës së lartë njerëzore dhe kombëtare shqiptare. Diçka të tillë nuk ka shënuar historia e asnjë populli.