Nata e 19-të në karantinë, Prishtina nis të relaksohet (Video/Foto)
Kryeqyteti ka hyrë sonte në natën e 19-të në karantinë, si masë për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Kjo natë për dallim me netët tjera dukej më gjallëruese, pasi shiheshin aty këtu këmbësorë, biçiklistë dhe gjithashtu nuk vërehej prani policore në pikat tipike të kontrollit rutinor.
Po ashtu, edhe sonte në rrugët e kryeqytetit është vërejtur relaksim i trafikut, shtim i lëvizjeve të veturave.
I gjithë ky relaksim i sotëm ndoshta ka ardhur edhe pas prezantimit të masave të reja që bëri sot ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, raporton “Epoka e re”.
Ai gjatë konferencës për media, tha se tani jemi në një situatë ku lakorja e virusit dhe mesatarja e infektimeve ditore na lejon që të relaksojmë kufizimet, por assesi dhe në asnjë mënyrë të neglizhojmë rrezikshmërinë.
Vitia tha se hapjen e ekonomisë dhe heqjen e kufizimeve do ta bëjnë në tri faza. Faza e parë fillon më 4 maj dhe planifikohet të vazhdojë deri më 18 maj. Gjatë kësaj periudhe zgjerohet orari i lirisë së lëvizjes nga 1.5 në 3 orë në dy orare, paradite dhe pasdite. Dhe faza tjetër vazhdon deri më 1 qershor, ku planifikohet të lirohen masat, por pastaj vazhdohet varësisht nga vlerësimi i situatës epidemiologjike.
Edhe sonte Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar për shtatë raste të reja me Covid-19 dhe për 22 raste të tjera që janë shëruar.
Deri më tani numri i të infektuarve me Covid-19 në Kosovë ka shkuar në 806.
Numri i të shëruarve ka arritur në 271, kurse 22 pacientë kanë vdekur si pasojë e kësaj pandemie.
Më poshtë keni videot dhe fotot të realizuara sonte në Prishtinë nga ekipi i “Epokës së re”:
/Epoka e re/