Nata e 20-të e Prishtinës në karantinë (Video/Foto)
Prishtina sonte ka hyrë në natën e 20-të në karantinë, masë kjo e marrë nga Ministria e Shëndetësisë për të parandaluar përhapjen e Covid-19, pandemi kjo që ka përfshirë gjithë botën.
Edhe sonte në rrugët e kryeqytetit shiheshin lëvizje aty këtu të qytetarëve, dhe po ashtu edhe qarkullim i veturave.
Ndërkaq haset ndonjë patrullë policore në vende jotipike, raporton “Epoka e re”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) edhe sonte ka njoftuar për shtatë raste të reja me Covid-19 dhe për 27 raste të tjera që janë shëruar nga ky virus.
Pas rezultatit të IKSHPK-së, ka reaguar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Edhe më tutje 0 raste në Prishtinë e 7 të tjera në krejt Kosovën. Kriza si duket është pas nesh tani. Por, vazhdojmë edhe këtë vikend. Me 4 fillon relaksimi i masave. Mos ta prishim për pak!”, ka shkruar Ahmeti
Deri më tani numri i të infektuarve me Covid-19 në Kosovë ka shkuar në 813.
Numri i të shëruarve ka arritur në 298, kurse 22 pacientë kanë vdekur si pasojë e kësaj pandemie.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 01 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 3.372.285 raste të Covid-19 dhe 238.084 raste të vdekjes.
Më poshtë keni videot dhe fotot të realizuara sonte pas orës 22:30 në Prishtinë nga ekipi i “Epokës së re”:
/Epoka e re/