Kurti: Shteti duhet të dëshmohet me të moshuarit, gratë dhe fëmijët
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe zëvendësministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu, kanë vizituar Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtinë, ku janë pritur në takim nga stafi drejtues, përkujdesës dhe rezidentët e këtij institucioni.
Me këtë rast, Kurti ka falënderuar përfaqësuesit e këtij institucioni për mirëpritjen dhe iu ka uruar të gjithë të moshuarve shëndet.
Kurti ka theksuar se shteti duhet të dëshmohet me të moshuarit, gratë dhe fëmijët, dhe për këtë arsye të moshuarit dhe Shtëpia e Personave të Moshuar do ta kenë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë në detyrë.
“Në kuadër të Shtëpisë për Persona të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare janë të strehuar dhe marrinë shërbime 76 rezidentë, të cilët janë nën kujdes 24 orë nga një staf prej 58 vetash. Pas situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, dhe duke e parasysh rrezikshmërinë e lartë që virusi ‘Korona’ paraqet për të moshuarit, stafi drejtues dhe përkujdesës ka ndërmarrë veprimet e duhura dhe të menjëhershme për ruajtjen e shëndetit të të moshuarve rezidentë. Këto veprime përfshijnë dezinfektimin e hapësirave ku qëndrojnë dhe jetojnë të moshuarit, furnizimin e rregullt me mjete mbrojtëse dhe ndalimi në hyrje-dalje nga institucioni dhe ndalimin e vizitave familjarëve. Si rrjedhojë, asnjëri nga të moshuarit rezidentë dhe askush nga stafi nuk ka rezultuar i infektuar me COVID-19”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës. (L.G: ‘Epoka e re’)