Pallaska: Modeli i qeverisjes së Shqipërisë po na propozohet edhe në Kosovë
Njohësi i çështjeve politike dhe avokati Dastid Pallaska, ka reaguar për mënyrën se si është rrënuar Teatri Kombëtar në Tiranë.
Pallaska, duke e kritikuar qeverinë Rama për arrogancën, ka thënë se rrënimi i këtij tetari ngjan edhe me vetting-un në drejtësi.
“Përderisa rrënimi i Teatrit Kombëtar është çështje e brendshme e Shqipërisë që duhet të adresohet dhe zgjidhet nga qytetarët që jetojnë atje, siç edhe po ndodhë, ne duhet ta ndjekim me kujdes pasi që një model i njëjtë i qeverisjes po na propozohet edhe në Kosovë, madje me një propagandë edhe më të sofistikuar”, ka shkruar Pallaska në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Pallaskës:
Arroganca me të cilën u rrënua Teatri Kombëtar në Tiranë është një mostër tejet përfaqësuese e qeverisjes së autokratëve që me popullizëm dhe propagandë të fuqishme – fitojnë shumicën absolute në zgjedhje demokratike.
Është mirë ta kujtojmë se kryeministri aktual i Shqipërisë në zgjedhjet e fundit atje ia kërkoi qytetarëve 51% të votës, përkatësisht iu kërkoi “timonin” që vetë ta drejtonte vendin, siç shprehej ai.
Pasi i diskreditojë të gjitha institucionet e vendit-dobësimit të së cilave i kontribuuan edhe ai dhe partia e tij – dhe e bleu lirë pjesën më të madhe të shoqërisë civile dhe kundërshtarëve politikë, me popullizëm dhe propagandë të fuqishme qytetarëve të Shqipërisë iu imponua si zgjidhja e vetme për të gjitha problemet e tyre.
Qytetarët e zemëruar i besuan.
Zemërimi me keq-qeverisjen paraprake ju kishte errësuar arsyen, duke i bërë të harrojnë se e keqja nuk ka fund.
Për më shumë, duke përfituar nga padrejtësia që mbizotëronte në Shqipëri me dekada, qytetarët i besuan që ai të dizajnonte dhe udhëhiqte edhe procesin e vetting-ut në drejtësi.
Pak qytetarë e dinin se procesi i vetting-ut jo vetëm që nuk kishte për qëllim largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar por nuk synonte as zëvendësimin e tyre me gjyqtarë dhe prokurorë lojalë ndaj regjimit të ri, siç bënë paraardhësit e tij.
Jo, kryeministri i Shqipërisë kishte një plan edhe më brutal. Paralizimin e plotë të sistemit të drejtësisë në mënyrë që të vepronte i vetëm dhe i papenguar nga gjyqtarët dhe prokurorët kur do të zbatonte programin e tij të vërtetë qeverisës për të shndërruar Shqipërinë në një shtet feudal në pronësi të dhjetëra oborrtarëve të tij.
Edhe çështja e Teatrit Kombëtar ngjan dhe është e ndërlidhur me vetting-un në drejtësi.
Po rrënohet një ndërtesë e vjetër e Teatrit Kombëtar në emër të një “ndërtese të re dhe më të bukur” të Teatrit Kombëtar. Veçse, ndërtimi i ri do të jetë gjithçka përveç Teatër Kombëtar.
Në anën tjetër, ky rrënim u realizua edhe për shkak se aktualisht Shqipëria jo vetëm që nuk ka Gjykatë Kushtetuese të pavarur por i mungon ky institucion në tërësi për shkak se vetting-u “ka mbetur në gjysmë!”
Përderisa rrënimi i Teatrit Kombëtar është çështje e brendshme e Shqipërisë që duhet të adresohet dhe zgjidhet nga qytetarët që jetojnë atje, siç edhe po ndodhë, ne duhet ta ndjekim me kujdes pasi që një model i njëjtë i qeverisjes po na propozohet edhe në Kosovë, madje me një propagandë edhe më të sofistikuar. (L.G/ Epoka e re)