3.5 milionë euro pajisje mjekësore për klinikat e QKUK-së (Foto)
Ministri i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismaili, ka bërë me dije se kanë dorëzuar kontigjentin e parë të pajisjeve moderne për klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) në vlerë prej 3.5 milionë euro.
“Ditë e rëndësishme për QKUK-në. Sot dorëzuam kontigjentin e parë të dhjetëra pajisjeve moderne të blera për klinikat e QKUK-së, të parat në shumë prej 3.5 milionë euro që kemi ndarë për pajisje për këtë vit. Histeroskop, thika ultrasonografike, monitorë për pacientë, ultrazëra, EKG, pacemaker, aspiratorë, nxemse për ngrohje të pacientëve në sallat operative, e shumë pajisje të tjera”.
“Gjithashtu presim që të vijnë qindra shtretër me dyshekë, tavolina operative, CT-ja e re etj. Pajisja me aparaturë të re për klinikat dhe spitalet tona ka qenë prioritet dhe premtim i imi, për çka, sot jam shumë i lumtur që kjo po realizohet. Po rifunksionalizojmë shërbimet mjekësore, po kthejmë besimin te institucionet tona publike shëndetësore dhe po ruajmë xhepin e qytetarëve”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.