3. Sfida e parë, titulli i temës

06 korrik 2018 | 11:06

Hajdin Abazi

PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE (2)

(Autori është prof. ass. dr. dhe ka ligjëruar për shumë vite lëndët Shkrimi akademik dhe Metodologjia e hulumtimit shkencor)

Problemi i aspektit teorik të problemi studimor rrallë ndodhë të jetë formal apo i strukturës, në këtë aspekt, duket zakonisht mjaft mirë i parashtruar; ndonëse ka vend edhe këtu për të dëshiruar më tepër, nuk e konsideroj si problem themelor, ndaj nuk do të merrem më tepër me të.
Problemi që kam shquar dhe që më shqetëson ka të bëjë me aspektin përmbajtjesor. Në kuptimin që shpesh nuk ka një rrjedhë logjike, ka s’përputhje, dhe shpërqendrim në kahet që supozohet t’i ketë punimi studimor. Këtu do të jem konkret.
Sfida e parë që një autor ballafaqohet e që duhet t’i japë zgjidhje është ajo e përcaktimit të titullit të studimit. Prirja është për tituj të përgjithshëm, sepse më lehtë mund të futet gjithçka brenda atij titulli dhe faqet të plotësohen pa ndonjë vështirësi. Gjithsesi, kjo mund të jetë edhe pasojë e mos përvojës (ndonëse këtu duhet të japë kontributin e vet mentori si udhëheqës shkencor). Titujt me tema të përgjithshme duhet të shmangen. Sido që të jetë, nëse zgjidhet një titull i përgjithshëm, do të ishte e preferueshme që përmes një nëntitulli të lokalizohet ose konkretizohet fokusi i temës së përgjithshme. Kjo e ngushton fushën e studimit dhe mundëson një studim të thelluar.
Atraktiviteti i titullit të përgjithshëm qëndronte ajo se besohet se fare lehtë mund t’i përshtatet thuaja çdo formulim i qëllimit studimor. Por kur do të vijë puna te realizimi i studimit atëherë do të shfaqeshin vështirësi të shumta, pikërisht si pasojë e temës së përgjithësuar (si, p. sh., çka të përfshihet e çka të lihet jashtë etj.). Vështirësia e këtillë, sikurse u tha, mund të shmanget përmes nëntitullit, që e përcakton fokusin e studimit. Kjo është një zgjidhje. Më e mira do të ishte, një titull teme të jetë konkret, nga se mundëson një studim të mirëfilltë e shumë të fokusuar.

4. Rëndësia e përcaktimit të qëllimit të studimit

Pasi të jetë gjetur një titull për temën, pason hapi tjetër – përcaktimi i qëllimit të studimit. Ndonëse duket më i lehtë përcaktimi i një qëllimi për një titull të përgjithshëm teme, sugjeroj si më sipër të shmanget titulli i përgjithshëm, pasi që është një lehtësi mashtruese sepse do të shfaqë shumë vështirësi gjatë realizimit të studimit.
Në anën tjetër, një temë konkrete, në shikim të parë, duket se e ka më të vështirë përcaktimin enjë qëllimi të studimit. Kjo sepse kërkohet një thellësi, depërtim deri në themel të temës dhe shtrirje të perimetrit që do të përfshijë thuaja tërësisht atë që shtrihet në rrezen e temës konkrete.
Formulimi i qëllimit kërkon shumë mendim, shoshitje e sprova. Kur të bëhet, nuk duhet kënaqur. Për të shkruar një qëllim sa më të përshtatshëm me temën, kërkohet shqyrtim nga autori: a është i përcaktuar qartë qëllimi, a është në harmoni me temën, a e mbulon tërë temën, nëse realizohet qëllimi a do të mund të arrihet ndonjë njohje për temën, dhe a do të përfshihej e tëra apo do të mbetej diçka jashtë?
Këto dhe pyetje të ngjashme ndihmojnë për të kuptuar nëse formulimi i qëllimit të studimit është i tillë që do ta bënte studimin të plotë dhe të mirëfilltë.

5. Vështirësia më e madhe, përcaktimi i objektivave studimore

Titulli i temës dhe qëllimi zakonisht janë sfidat më të lehta për një punim studimor, sepse zgjidhja dhe harmonizimi i tyre është më i arritshëm. Këtë e tregon edhe fakti se në të shumtën e herave titulli i temës dhe qëllimi i një punimi studimor përcaktohen pak a shumë në mënyrë korresponduese.
Se përse duhet t’i kushtohet vëmendje përpilimit të qëllimit të studimit ka një arsye të fortë – ai duhet të jetë gjeneruesi i pjesëve të tjera të studimit. Një formulim i qartë, i plotë dhe shprehës i qëllimit që i korrespondon mirë temës, është parakusht që strukturat e tjera të hyrjes të formulohen me qartësi dhe harmoni të duhur.
Kështu, pas qëllimit, zakonisht vjen parashtrimi i objektivave të studimit. Objektivat e studimit, për të qenë në funksion dhe për të ndihmuar studimin, duhet të jenë një operacionalizimi i qëllimit, respektivisht një përimtim, fragmentarizim, pjesëzim i qëllimit. Objektivat e këtilla e bëjnë më të dukshme dhe më të qartë se sido të mund të arrihej qëllimi i studimit.
Sigurisht nuk është gjithnjë e vetëkuptueshme se cilat objektiva mund të nxirren nga qëllimi i studimit. Por ka një mundësi për të kontrolluar nëse objektivat janë në funksion të arritjes së qëllimit. Për ta bërë më praktike, le të supozohet se janë nxjerrë pesë objektiva nga një qëllim i studimit. Atëherë, për secilin objektiv veç e veç duhet pyetur – çka konkretisht objektivi (1, 2, 3, 4 dhe 5) do të ndihmonte në arritjen e qëllimit? Kjo do të mund të ndriçonte faktin se a është apo jo dhe në ç’masë secili objektiv (1, 2, 3, 4 dhe 5) studimor njëmend në funksion të arritjes së qëllimit të studimit apo jo. Po ashtu, edhe se a e mbulojnë ato në tërësi qëllimin e studimit.
Po qe se hetohet ndonjë s’përputhje, ndonjë formulim i panevojshëm, jashtë rrezes qëllimit apo ndonjë mangësi etj., atëherë secila duhet korrektuar dhe rishkruar.
Duhet mbajtur parasysh se secili studiues ka rrezik që të lajthitet nga objektivat. Kam parë jo rrallë objektiva të shtruara që dalin jashtë rrezes së temës, ose që nuk janë thuaja aspak në funksion të temës, apo që e zgjerojnë panevojshëm temën duke e rritur gamën e studimit që nuk rrjedhë nga qëllimi. Kjo mund të jetë pasojë e papërvojës, ose shkak i punës nën stres (gjithsesi edhe i kujdesit të munguar të mentorit si udhëheqës shkencor). Sido që të jetë, kjo e dëmton karakterin studimor dhe duhet t’i kushtohet vëmendje, që objektivat as të mos jenë të shumta sa t’u humb kuptimi, as të mos jenë të mangëta sa të mos çojnë në realizimin e qëllimit.
Që të mos ndodhë kjo, ose të pakësohet mundësia e lajthitjes, do të mund të veprohej në mënyra të ndryshme. Për shembull, të lexohet secili objektiv nga perspektiva e tjetrit, ose sikur të ishin shkruar ato nga ndonjë studiues tjetër dhe detyra është të ekzaminohet përputhja e secilit objektiv me qëllimin e studimit. Ose, ndoshta edhe më mirë, t’i jepet për lexim ndonjë kolegu, që ta ekzaminojë raportin e secilit objektiv me qëllimin.
Po e ilustroj këtë figurativisht. Le të mendohet qëllimi si një mozaik. Ky mozaik përbëhet nga pesë pjesëza. Secila pjesëz është një segment, që paraqet diçka të mozaikut. Vetëm kur të vihen të gjitha pjesëzat së bashku dhe në rendin e vendin e duhur atëherë dhe vetëm atëherë zbulohet pamja e plotë dhe e qartë e mozaikut, domethënë arrihet qëllimi. Këtë funksion duhet ta kenë objektivat studimore në raport me qëllimin.
Kalibrimi i objektivave me qëllimin e studimit, sa më mirë që të bëhet dhe me synim që të arrihet një operacionalizim i duhur, është njëra prej strukturave të hyrjes që duhet t’i kushtohet vëmendja e madhe, sepse ka rëndësi vendimtare për koherencën e pjesës tjetër të studimit.

6. Pyetjet studimore, një orientim se si mund të bëhen ato

Dy pjesët tjera të strukturës së hyrjes që pasojnë pas objektivave zakonisht janë pyetjet studimore dhe hipotezat.
Çka janë pyetjet studimore në një punim studimor?
Përgjigjja me karakter praktik do të ishte se ato janë pyetje të shtruara të cilave duhet dhënë përgjigje. I tërë studimi, duhet të jetë i tillë, që, në fund, të çojë në përgjigje për secilën pyetje të shtruar.
Me fjalë të tjera, ato janë si busulla orientimi, se cilat duhet të jenë kahet ku duhet të fokusohet studimi, për të arritur, si rezultat i gjetjeve të studimit, në përgjigjet ashtu sikurse ato do të jenë.
Për dallim nga tema dhe qëllimi, si dhe objektivat e studimit, pyetjet studimore në praktikën e deritashme janë problematike, në shtrimin e të cilave janë shpërfaqur dy mungesa të mëdha:
e para mungesë është, se zakonisht pyetjet studimore nuk janë të përputhshme me objektivat e shtruar të studimit; dhe
e dyta, që buron nga e para, përgjigjet e arritura në fund të studimit nga gjetjet, zakonisht nuk sugjerojnë ndonjë gjë me vlerë për ndonjërin objektiv.
Këto të dyja kanë mundësi të kapërcehen dhe të gjejnë zgjidhje. Ajo që do të propozoj në vazhdim ka të bëjë me aspektin logjik, dhe që është praktike dhe orientuese.
Mënyra më e natyrshme do të ishte që pyetjet studimore të formulohen duke ndjekur secilin objektiv veç e veç të studimit. Kjo është shumë e thjeshtë. Le të kujtojmë se më sipër u tha që hipotetikisht janë përcaktuar pesë objektiva studimore. Atëherë, edhe pyetjet studimore do të duhej të ishin po pesë. Secili objektiv, veç e veç, do të duhej të kthehej në pyetje kërkimore. Domethënë, pesë objektiva japin pesë pyetje studimore, secila pyetje studimore i korrespondon saktësisht secilit objektiv përkatës të studimit. Konkretisht: objektivit të parë i korrespondon pyetja e parë studimore, objektivit të dytë pyetja e dytë e kështu me radhë.
Duhet mbajtur parasysh se mund të ketë raste kur një pyetje studimore mund të mos mbulojë tërë rrezen e objektivit dhe ka nevojë të ketë edhe nënpyetje studimore.
Përveç se është më i lehtë dhe afërmendsh formulimi sipas kësaj logjike i pyetjeve studimore, ajo ka edhe rrjedhoja konkrete për vetë studimin. Fjala vjen, gjetjet e studimit që do të çonin në përgjigjen e parë do të ishin tregues i qartë, por edhe argument, që do të tregonte përmbushjen e objektivit të parë. Ose e kundërta, po qe se përgjigjja në pyetjen e parë studimore do të ishte negative, ose jo e kënaqshme, atëherë edhe objektivi përkatësi do të kishte të njëjtin fat, apo do t’i pësonte të njëjtat konsekuenca. Është normale që përgjigjja pozitive të çonte në përmbushjen e objektivit prej të cilit është deduktuar, si dhe përgjigjja negative ose jo e kënaqshme të kishte të njëjtat pasoja për objektivin, të ishte i papërmbushur ose i përmbushur në mënyrë jo të kënaqshme. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në Sarajevë në kuadër të samitit të menaxherëve më…