30 ditë arrest shtëpiak për Daut Mehmetin e Arbnor Rifatin
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Daut Mehmetit dhe Arbnor Rifati.
Arbitri i basketbollit Mehmeti dhe trajneri Rifati janë arrestuar të premten me dyshimin se janë të përfshirë në kurdisje të ndeshjeve të basketbollit.
“I dyshuari i parë (refer me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli).
Po ashtu, i dyshuari i parë, ka bashkëvepruar edhe me refer dhe trajner ndërkombëtar në kurdisjen e lojërave basketbollistike, me qëllim të fitimit të basteve. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit. Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, njoftoi Policia me rastin e arrestimit.
Lidhur me këtë zhvillim, ka pasur reagim edhe nga Federata e Basketbollit të Kosovës, e cila ka thënë se është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit, lidhur me ngjarjen e fundit e fundit.