“30 për qind e popullatës kanë më pak se 2 euro për konsum ditor”
Pagat më të larta në Kosovë dhe të ardhurat e ulëta në kategorinë sociale e të pensioneve, po konsiderohet se është një dallim mjaft i madh, marrë parasysh edhe shkallën e lartë të varfërisë rreth 30 për qind.
Paga më e lartë në vend është 4913 euro e drejtorit të Trustit, Adrian Zalli, për të cilin në tri vitet e ardhshme nuk do të vlen Ligji i ri për pagat. Ndërsa paga e presidentit Hashim Thaçi, aktualisht është 2672 euro, ku me ligjin e ri për paga, presidenti do ta ketë pagën 2390 euro me koeficientin 10 ose 282 euro më pak se paga aktuale.
Ndërsa, me vendimin e fundit të Qeverisë, paga aktuale e kryeministrit Ramush Haradinaj është 2950 euro, por me ligjin e ri, paga e kryeministrit do të jetë me koeficientin 9 ose 2151 euro në muaj (799 euro më pak se paga aktuale). Koeficient të njëjtë me kryeministrin do të ketë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Paga aktuale e kryetarit të kuvendit është 2555 euro.
Ndërkaq, paga aktuale e një ministri në Qeverinë e Kosovës është 2000 euro.
Paga mesatare në sektorin publik sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka arrit 532 euro, ndërsa, paga mesatare në sektorin e ndërmarrjeve publike është 667 euro.
Në sektorin privat paga mesatare është 384 euro, transmeton “KP”.
Të dhënat për skemën e ndihmës sociale (SNS) përkatësisht për familjet e varfra për muajin janar, ndihmën sociale e kanë shfrytëzuar gjithsej 25.186 familje, me 102.595 anëtarë të familjes.
Ndihma sociale më e ulët është 60 euro, kurse më e larta 180 euro.
Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë për KosovaPress se shuma mujore e ndihmës sociale përcaktohet në bazë të numrit të anëtarëve të familjes, që do të thotë familja një-anëtarësh merr 60 euro në muaj (minimalja), ndërsa familja 15 anëtarësh merr gjithsej 180 euro (maksimalja). Çdo familje në skemën e ndihmës sociale, përveç ndihmës bazë merr edhe nga 5 euro shtesë për çdo fëmijë nga mosha 0-18 vjeç.
Për pensione, drejtori i departamentit të pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Bahri Xhaferi ka thënë se për kategoritë e pensioneve të cilat ndahen për çdo muaj për pensionistë, janë prej 75 euro për pension të pleqërisë dhe 158 deri 230 euro për pension kontributdhënës.
Xhaferi ka thënë se me planifikim buxhetor 2019, është paraparë që pensioni më i ulët, ai i pleqërisë të jetë 90 euro, kurse më i larti 265 euro për pensionistët kontribudhënës të kualifikuar.
“I kemi katër kategori pensioni kontribut pagues, me shkollë fillore, me shkollë të mesme, me shkollë të lartë dhe me fakultet. Me shkollë fillore, aktualisht është 158 euro, me shkollë të mesme 172, me shkollë të lartë 186 euro, kurse me fakultet është 230. Mirëpo është një planifikim buxhetor për vitin 2019 që parashihet rritja diku 15 për qind për këtë skemë pensionale. Pagesën me rritje nuk e kemi bërë për muajin janar për shkak të mos aprovimit të buxhetit, sigurisht se do të ndodhë në muajin shkurt. 75 euro pensioni bazë (pleqërisë) ka rritje 20 për qind besoj do të jetë 90 euro nga muaj shkurt, besoj se do të ketë edhe retroaktivitet pagesë për muajin janar”, ka thënë Xhaferi.
Profesori universitar, Muhamet Sadiku ka thënë për “KosovaPress”, se dallimi mes pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale është mjaft i lartë, ku sipas tij, 8-10 për qind e popullatës jeton në varfërinë e skajshme dhe rreth 20 për qind e njerëzve jetojnë në zonën e varfërisë që do të thotë se rreth 30 për qind e popullatës në Kosovë janë në zonën e rrezikshmërisë të varfërisë.
Sadiku ka thënë se Kosova ka një obligim të rrisë gjithnjë e më shumë produktivitetin kombëtar, sepse në botën e zhvilluar pagat lëvizin varësisht nga lëvizja e produktivitetit.
“Tregohet një dallim shumë i madh në mes të nivelit më të ulët dhe më të lartë, dhe kjo tregon se megjithatë realiteti social i Kosovës ekziston me fenomenin i përjashtimit social, sepse duhet pranuar se sa për qind e njerëzve kanë më pak se dy euro për konsum ditor. Vlerësoj se sipas statistikave rreth 8-10 për qind e popullatës jeton në varfërinë e skajshme dhe rreth 20 për qind e njerëzve jetojnë në zonën e varfërisë që do të thotë se rreth 30 për qind e popullatës në Kosovë janë në një farë mënyre në zonën e rrezikshmërisë të varfërisë dhe në të njëjtën kohë edhe në zonën e përjashtimit social”, theksoi Sadiku.
Ai më tej ka thënë se çelësi i Kosovës drejt tejkalimit të shumë sfidave dhe problemeve është rritja e produktivitetit të punës.
Ndryshe, me 63 vota për dhe një abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka miratuar Ligjin për pagat në sektorin publik më 2 shkurt të këtij viti, që ka një kosto vjetore rreth 120 milionë euro. Ndërsa, për pagën minimale në Kosovës që është 170 euro, pritet të mbahet diskutim në seancën parlamentare me propozim të GP të PSD-së.