30 VITE NGA KUVENDI HISTORIK I VERRAVE TË LLUKËS
30 vite më parë, më 1 maj 1990, u mbajt Kuvendi i Verrave të Llukës. Ky është një nga kuvendet më të rëndësishme, njëkohësisht dhe më të mëdha, në historinë e kombi tonë.
Kuvendi i Verrave të Llukës u organizua nga nismëtarët e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, ish-të burgosurit politik Adem Grabovci, Myrvete Dreshaj, Have Shala, Ibrahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj, në bashkëpunim me Këshillin e Pajtimit të Gjaqeve të Deçanit.
Ky kuvend u mbajt në shënim të përvjetorit të 80-të të Kuvendit historik të mbajtur po në këtë vend në vitin 1910. I zhvilloi punimet në kushte të jashtëzakonshme, duke qenë nën rrethim të plotë të forcave speciale policore serbe të motorizuara dhe të blinduara. Mbi 500 mijë veta, burra, gra, të rinj e të reja, pjesëtarë të këshillave të pajtimit nga të gjitha trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi, është numri i pjesëmarrësve në të.
Bazuar në numrin e pajtimeve, Kuvendi i Verrave të Llukës i 1 majit 1990 shënon përmasat e një kuvendi historik gjithëpopullor të pajtimit dhe bashkimit ndërshqiptar. Ai shënon gjithsejtë 106 pajtime të arritura; 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.
Punimet e kuvendit i drejtuan Jashar Salihu dhe Have Shala.
Në mbështetje të tyre në binë ishin të pranishëm edhe profesorët e Universitetit të Prishtinës, veprimtarë të pajtimit të gjaqeve, Anton Çetta, Zekeria Cana, Mujë Rugova, Ramiz Kelmendi e Azem Shkreli, si dhe klerikët Dom Lush Gjergji e Mulla Idriz Kakrruki.