300 ish-muxhahedinë u larguan në mënyrë misterioze nga Shqipëria

17 korrik 2022 | 09:04

Që nga ardhja e muxhahedinëve në Shqipëri, 400 janë shkëputur nga kjo organizatë, 300 prej të cilëve janë larguar drejt vendeve të BE, në rrethana ende të paqarta.

Në dosjen hetimore të SPAK thuhet se 32 anëtarë kanë ndërruar jetë, 13 janë duke tentuar të largohen nga Shqipëria, ndërkohë që 35 aktualisht marrin ndihmë ekonomike nga MEK.

20 ish-anëtarë ka dyshime të jenë rekrutuar nga Shërbimet Sekrete Iraniane për marrjen e informacioneve të organizatës MEK në Shqipëri. Ata kishin detyrë të filmonin anëtarët e MEK dhe t’i kalonin informacionet te shërbimet iraniane.

Këto detaje janë zbardhur pas një hetimi 4-vjeçar mbi ish-muxhahedinët, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me Shërbimet Sekrete Iraniane dhe po planifikojnë të kryejnë sulm ndaj MEK në Shqipëri.

Po në dosjen hetimore u raportua se shënjestra e celulës terroriste që po planifikonte një sulm ndaj anëtarëve të MEK, të vendosur në zonën e Manzës, në Shqipëri ishte numri dy i MEK, shtetasi Mehdi Abrishamshi. Sipas të dhënave të hetimit, rezulton se anëtarët e celulës bënin vëzhgime të anëtarëve të MEK në Shqipëri.

Sipas të dhënave të dosjes, rezulton se SPAK ka urdhëruar kontroll në ambientet e shoqatës “Asila”, zyrat e marra me qira nga një ish-muxhahedin, si dhe në automjetin e tij. Janë kontrolluar apartamentet e tjera të marra me qira nga ish-muxhahedinë të tjerë. Gjithashtu, është kontrolluar dhe një automjet në pronësi të një shtetasi shqiptar dhe në përdorim të një iraniani.

Gjatë kontrolleve në këto banesa, SPAK ka gjetur pajisje elektronike dhe përgjuese, të cilat po këqyren për të zbuluar edhe personat me të cilët ata bashkëpunonin, duke qenë se 300 ish-anëtarë të kampit kanë arritur të largohen nga Shqipëria. Nuk dihet nëse këta ish-anëtarë janë të përfshirë në sulme. Në dosje thuhet se po bashkëpunohet me organet e huaja ligjzbatuese për të zbuluar nëse ata kanë qenë të përfshirë në akte terrori.

Lexo edhe: Shënjestra e celulës terroriste në Shqipëri, numri dy i MEK! Zbardhen SMS-të e anëtarëve, takoheshin në hotele të njohura

Nisur nga ky hetim i nisur nga SPAK për një grup iranianësh, të cilët kanë dalë nga qendra në të cilën kanë qenë të strehuar, 5 persona mësohet se janë shoqëruar për disa orë në Policinë e Tiranës ditët e fundit. Ata janë marrë në pyetje në lidhje me të qenit pjesë e një celule terroriste që dyshohet se po përgatisnin sulme kundër anëtarëve të MEK.

Pas dëshmisë ata janë lënë të lirë. SMS-të e e anëtarëve të celulës terroriste që takoheshin në hotele të njohura në Tiranë. Në dosje zbulohen edhe mesazhet e shkëmbyera mes anëtarëve të celulës.

Sipas të dhënave të Antiterrorit dhe SPAK, ish-anëtarë të MEK dhe anëtarë të celulës terroriste, të cilët bashkëpunonin për kryerjen e sulmit, janë dërguar në Shqipëri për të planifikuar sulme terroriste ndaj anëtarëve të MEK. Në dosje thuhet se disa individë që flasin gjuhën turke, rezultojnë se kanë mbërritur në Tiranë, ku janë takuar me dy makina dhe kanë pasur si qëllim përgatitjen e sulmit. Referuar të dhënave të dosjes, rezulton se takimet e tyre kryheshin në dy hotele të njohura në Tiranë.

Një ndër mesazhet e shkëmbyera mes tyre është:

“Kam dy ditë në Tiranë, do ta kryejmë punën e djalit të Hajit Pejman. Ne do lëvizim në drejtimin që na keni thënë ju. Po presim lajme prej teje vëlla. Jemi 4 veta që kemi ardhur këtu me dy makina. Kemi këtu dy ditë dhe shokët e tjerë i kemi sistemuar në hotel. Unë dhe shoku im jemi në hotelin tjetër”. /Express/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mijëra zjarrfikës po vazhdojnë të luftojnë zjarret në Portugali, Spanjë…