302 ushtarë i shtohen FSK-së
Edhe treqind e dy ushtarë të rinj i janë shtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ushtarët e rinj dhanë betimin e tyre për t’i shërbyer vendit në ceremoninë e diplomimit të rekrutëve të FSK-së, gjenerata 01-2023, në Kazermën “Skënderbeu”, në Ferizaj, ku edhe më të mirët janë vlerësuar me mirënjohje.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci u ka thënë ushtarëve të rinj se uniforma që mbajnë, para se të jetë simbol i ushtrisë, është identitet e trashëgim i brezave të tërë që kontribuuan e sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Ai ka porositur ushtarët e rinj që ta prezantojnë në mënyrën më të mirë shtetin e Kosovës.
“Pesha e uniformës që mbani sot veshur është e rëndë, se të shumë rënda e të vështira ishin vitet kur Ademi e Hamza, Zahiri e Luani, Agim Ramadani dhe mijëra dëshmorë të tjerë sfidonin vdekjen duke përqafur luftën për jetë dhe liri. Formësimi i juaj si ushtarak fillon këtu, dhe nuk duhet të përfundojë asnjëherë, siç nuk duhet të përfundojë vullneti dhe gatishmëria e juaj për t’i shërbyer atdheut dhe qytetarëve të vendin tonë”, ka thënë Maqedonci.
Ndërsa komandanti i KDS-së, gjeneral brigade, Jeton Dreshaj ka thënë se përgatitja dhe edukimi ushtarak i tyre, është një linjë vazhdimësie në zhvillimin dhe gatishmërinë e FSK-së.