31 janari i vitit ’97 ishte i kobshëm për Kosovën, vritet Zahir Pajaziti e arrestohen shumë anëtarë të UÇK-së
25 vite më parë, pikërisht më 31 janar 1997, në vazhdën e arrestimeve të shumta nga forcat e sigurisë serbe, që bëheshin ndaj anëtarëve të UÇK-se dhe veprimtareve të çështjes kombëtare, u arrestuan edhe pjesëtarët e UÇK-së, studentët Demir Lima e Ali Xhyliqi dhe anëtari i Shtabit Operativ të UÇK-së, Bislim Zogaj. Po ashtu në këtë ditë, në orët e mbrëmjes në një pritë të organizuar në Pestovë të Vushtrrisë, u vranë luftëtarët e UÇK-se, komandant Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu.
Kjo ishte një ndër goditjet e rënda që mori organizimi i UÇK-se. Por, kjo goditje u kthye në forcë dhe motiv për riorganizimin dhe shtimin e radhëve të UÇK-së, e cila kulmoi me daljen publike të saj në nëntor të vitit 1997.
I gjithë grupi i arrestuar i UÇK-së, të cilët akuzoheshin për veprimtari armiqësore dhe Terrorizëm në krye me Nait Hasanin, Agron Tolaj, Arif Vokshi, Hasan Zeneli, Qerim Kelmendi, Alban Neziri, Agim Makolli, Hamzë Pangjaj, Asllan Selimi, Eqrem Kastrati, Isak Shabani, Bislim Zogaj, Ilir Gashi, Ali Xhuliqi, Demir Limaj, Agim Hulaj, Selim Lokaj, Hajdin Rama dhe Nezir Zogaj me datën 16 dhjetor 1997,e që njihej si grupi i Nait Hasanit, u dënuan me 186 vjet burg nga Gjykata Serbe e Qarkut në Prishitinë.
Aliu u dënua me 9 vite burg, Demiri me 8 vite burg dhe Bislimi me 5 vite burg.
Lavdi dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. Mirënjohje për të gjithë ata që dhanë kontribut për lirinë e saj. Përherë krenar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.