31 mars 1999, mobilizimi i përgjithshëm i UÇK-së për çlirimin e Kosovës

31 mars 2025 | 23:11

Shkruan: Hisen Berisha 

Më 31 mars 1999, në kulmin e ofensivës së egër serbe dhe në prag të ndërhyrjes vendimtare të NATO-s, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori një nga vendimet më të rëndësishme të luftës: mobilizimin e përgjithshëm. Ky urdhër ishte akti që shndërroi betejën e organizuar në një luftë gjithëpopullore për liri, duke thirrur në radhët e UÇK-së çdo shqiptar të aftë për të mbajtur armë, brenda dhe jashtë Kosovës.

Ky mobilizim shënoi një pikë kthese në luftën për liri, duke krijuar struktura më të fuqishme dhe duke përfshirë në radhët e UÇK-së mijëra luftëtarë të rinj, të gatshëm të përballeshin me forcat serbe në të gjitha frontet e Kosovës. Ishte një vendim i domosdoshëm në një moment kritik, kur forcat serbe po kryenin sulme masive, masakra dhe spastrime etnike kundër popullsisë shqiptare.

Në zbatim të Urdhrit Nr. 151, datë 31.03.1999, u shpall mobilizimi i përgjithshëm për të gjithë shqiptarët e moshës 18 deri në 50 vjeç. Të gjithë kuadrot ushtarake u urdhëruan të merrnin detyrat në strukturat e UÇK-së, ndërsa për trupat e rinj u ngritën qendra të reja stërvitore për përgatitje intensive para futjes në beteja. Ky urdhër nuk ishte thjesht një akt administrativ ushtarak, por një thirrje për përgjegjësi kombëtare. Ishte një mesazh i qartë se lufta kishte hyrë në fazën përfundimtare dhe se përballja me okupatorin kërkonte sakrificën e të gjithëve.

Mobilizimi i përgjithshëm shënoi shndërrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një forcë ushtarake me përmasa kombëtare, duke forcuar strukturat e saj dhe duke rritur kapacitetet për organizimin e operacioneve të mëdha luftarake. Në të gjitha zonat e luftës, njësitë e UÇK-së pranuan qindra luftëtarë të rinj, ndërsa shqiptarët në diasporë mobilizuan resurset për mbështetje logjistike dhe financiare. Ky akt shfaqi vendosmërinë e popullit shqiptar për të mos lejuar një tjetër spastrim etnik dhe për të marrë fatin e Kosovës në duart e veta. Ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj dhunës serbe dhe një sinjal për aleatët ndërkombëtarë se shqiptarët ishin të vendosur të luftonin deri në fund për lirinë e tyre.

Si rezultat i mobilizimit të përgjithshëm, forcat e UÇK-së jo vetëm që u rritën në numër dhe organizim, por gjithashtu krijuan kushte për qëndresën e gjatë që çoi në kapitullimin e Serbisë. Përballja e organizuar në frontet e luftës dhe sakrifica e mijëra dëshmorëve u kurorëzua me lirinë e Kosovës, e cila u realizua pas 78 ditësh sulmesh ajrore të NATO-s kundër forcave serbe.

31 marsi 1999 mbetet një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ishte dita kur UÇK-ja dhe populli shqiptar dëshmuan se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë dhe vendosmëri. Në këtë përvjetor, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që iu përgjigjën thirrjes së kombit dhe kontribuuan në fitoren e madhe për Kosovën e lirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Nazmi Jusufi Mendimi im rreth reformimit të politikës kosovare…