31-vjetori i Kuvendit të Verrave të Llukës
Sot është 31-vjetori i Kuvendit të Verrave të Llukës. Sado që u mbajt në rrethim të plotë nga forcat speciale policore serbe, të motorizuara dhe të blinduara, në kuvend morën pjesë mbi 500 mijë shqiptarë. Rezultati i arritur- 106 pajtime: 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.
Kuvendi i Verrave të Llukës u organizua nga nismëtarët e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, Myrvete Dreshaj, Have Shala, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj, në bashkëpunim me Këshillin e Pajtimit të Gjaqeve në Deçan.
Kuvendi u drejtua nga Jashar Salihu dhe Have Shala. Në mbështetje të tyre, në binën madhështore do të gjenden Anton Çetta, Zekeria Cana, Dom Lush Gjergji, Mulla Idriz Kakrruki, Mujë Rugova, Ramiz Kelmendi e Azem Shkreli, kurse vendi i nderit do t’i jepej nënës së pishtarëve të lëvizjes sonë çlirimtare kombëtare, heronjve të Kosovës Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Ajshe Gërvalla.
Pa Kuvendin e Verrave të Llukës të 31 viteve më parë, përgjithësisht pa Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë në vitin 1990, përmes së cilës u arrit falja e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, çmimi që do të paguanin shqiptarët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës do të ishte shumëfish më i lartë.
Meritorë për mbylljen e plagës shekullore të gjakmarrjes janë në radhë të parë të gjithë ata baballarë, nëna, vëllezër e motra, bashkëshorte, bijë e bija, që pa asnjë kompensim a kushtëzim të vetëm falën gjakun e më të dashurve të tyre dhe në emër të gjakut të derdhur të dëshmorëve, flamurit dhe Kombit, shtrinë dorën e pajtimit. Pajtimi solli bashkimin e popullit tonë, si kusht i domosdoshëm për luftën çlirimtare.
(Epoka e re)