Dorëzohet puna shumëvjeçare projektuese e arkitektit Ramadan Emini
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka pritur në takim vajzën e veprimtarit të çështjes kombëtare e arkitektit, Ramadan Emini, Majlinda Emini-Çalaj.
Me këtë rast, ajo ia ka dorëzuar Aliut projektet të cilat i ka lënë i ndjeri Ramadan Emini.
“Janë veprat, projektet, idetë e shkruara e skicat që i ndjeri Ramadan Emini, ia la trashëgim familjes, për t’ia dhuruar institucioneve lokale pas vdekjes së tij. E pikërisht këtë amanet, këtë dëshirë të tij e përmbushi vajza e të ndjerit, Majlinda Emini-Çalaj, e cila i dorëzoi këto dokumente tek i pari i Ferizajt, Agim Aliu. Ky i fundit, në pritjen që i rezervoi vajzës së shembullit të rrallë të veprimtarit e arkitektit, familjes patriotike të tij, tha se këto vepra, punime e projekte të Ramadan Eminit, do të ruhen e përdoren si vlerë e çmuar intelektuale e profesionale, për të shërbyer në të tashmen dhe të ardhmen si vlera të kohës”, ka njoftuar komuna e Ferizajt.
Arkivi personal që është dorëzuar të mërkurën do të sistemohet dhe ruhet veçanërisht në institucionet përgjegjëse komunale.