Adem Jashari po bëhej gati ta niste luftën e madhe
Bedri Islami
Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (16)
Disa herë në këtë shkrim i jemi rikthyer rrethimit të parë të Jasharëve në natën e 30 dhjetorit të vitit 1991. Ajo që ka tërhequr vëmendjen gjithnjë është bulimi i njerëzve me armë në malin bri kullave të Jasharëve, sikur e gjithë Drenica ishte shkulur aty. Ky është një fakt që dihet, por ajo që ende nuk është shpjeguar mirë qëndron në të vërtetën se si është e mundur, që në fundin e vitit 1991, ashtu papritmas, pa asnjë thirrje, në të kundërtën e asaj që predikohej në Velani, për urtësim dhe bindje, të mblidheshin në fare pak orë me qindra e mijëra burra. E pra ishte fundviti, ishte dimër, natë e ftohtë, rrugët e zëna jo vetëm nga bora, por edhe nga forcat policore e, megjithatë, pa asnjë lloj urdhri, burrat vinin të luftonin.
Kaq vite pas kësaj ngjarje duhet menduar për dy gjëra: për atë mekanizëm të jashtëzakonshëm, i cili i vë në lëvizje njerëzit, gjithnjë e më shumë drejt së panjohurës të qëndresës, drejt aktit final, luftës, si drejt një gjëje të zakonshme. Dhe e dyta, fakti që ato nuk po shkonin drejt kujtdo, sepse deri në atë kohë shumë njerëz ishin sulmuar, kishte të vrarë, kishte të burgosur, flamurë të çjerrë, mirëpo njerëzit, edhe pse kishin pasur dhimbje, në të shumtën kishin qëndruar në shtëpitë dhe vatrat e tyre.
Tani ishte vënë në lëvizje një mekanizëm tjetër, krejt i panjohur për liderët politikë legalë, i kuptueshëm vetëm për ata që e kuptonin lirinë se diçka tepër jetësore, për të cilën nuk duhen fjalë të mëdha. Por ata nuk e jepnin veten thjeshtë e rastësisht; kishin pritur një shembull të madh, një shembull që i a vlente të ecje pas tij, dhe kur e kishin gjetur, kishin filluar lëvizjen masive, ashtu si ortekët.
Drenica, duke e pasur shembullin më afër se të tjerët, duke e pasur pjesë të vetes dhe bir të saj, kishte lëvizur e para. Sikur për asgjë të tjetër të mos ia kishte vlejtur kjo ditë-natë, thyerja e 30 dhjetorit dhe agimi i 31 dhjetorit, qoftë edhe vetëm për këtë fakt, ajo është e bekuar në historinë e kombit. Njerëz, mos e harroni këtë.
Rrethimi i dytë i Jasharëve ndodhi me 22 janar 1998. Përsëri dimër, natë, ftohtë përsëri, në kulla do të ndodheshin djemtë e shtëpisë, baca Shaban dhe Hamza. Ndryshe nga herët e tjera, në sulmin e 22 janarit nuk do të marrë pjesë ushtria serbe, kishte ardhur pararoja e saj. Nuk do të ketë tanke, helikopterë, por “tigrat e çartur’ të kriminelit Arkan janë ata që do të marrin përsipër thyerjen e rezistencës.
Në errësirën e natës, si hienat, paramilitarët e Arkanit janë shpërndarë dyerve të oborrit të kullave të Jasharëve. Kanë nisur me sulmin me synimin për të djegur e vrarë gjithçka që del përpara, fëmijë apo plak qoftë, njeri apo edhe një pulë qoftë. Ata kanë tentuar të hyjnë njëherësh në shtëpi dhe në kullë. Në kullë kanë hasur në rezistencë, sepse aty ka qenë baca Shaban dhe nipat e tij, Fitimi, Besimi dhe Kushtrimi dhe të gjithë kanë pasur armë dhe kanë luftuar me serbët për më shumë se një gjysmë ore. Mund ta mendoni këtë, në njërën anë banditë dhe kriminelë të sprovuar, dehur luftërash dhe krimesh, në kahun tjetër djem të rinj, ende pa kaluar nga fëmijëria në rininë e hershme.
Prej kullës është gjuajtur me automatikë dhe mitraloz, ndërsa Hamza, prej shtëpisë ku ka qenë, ka hedhur në drejtim të çetnikëve bomba dore, me çka serbët e shohin se kanë ndeshur në rezistencë të fortë dhe tërhiqen.
Adem Jashari nuk ndodhej asaj nate në shtëpi, sepse ishte te dajat në Llaushë, mirëpo askush nuk e ka ditur në se ishte ai apo nuk ishte brenda, pasi nipat, djemtë dhe burrat e shtëpisë bënin atë që duhej të bënin.
Rrethimi i dytë kishte ardhur pas shfaqjes së parë publike të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thuajse dy muaj më parë, me 28 nëntor 1997. Pas fjalëve kishte ardhur koha e pushkës. Njerëzit e kishin dëgjuar fjalën e tre drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe, megjithëse ishin tubuar për një rast të dhimbshëm, si ishte vrasja e mësuesit Halit Geci, ishin ngritur në këmbë dhe në përjashtim nga çdo rregull, kishin duartrokitur, kishin thirrur, kishin brohoritur. Kishte ndodhur diçka e re, e jashtëzakonshme për mendimin politik, krejt të ndryshkur, për të thënë butë kështu, në Prishtinë; kishte qenë një akt jo vetëm miratimi, por edhe mbështetje.
Ndaj dita e 22 janarit 1998 ishte vazhdimi i asaj qe kishte ndodhur me 28 nëntor. Ishte momenti kur po “drenicohej” Kosova, në se mund të them kështu, dhe fakti, se vetëm gjashtë javë më pas do të kemi njëherësh tri qendra të tjera të mëdha lufte, Dukagjinin, Llapin dhe Shalën dëshmon se fara e hedhur në betejën e 22 janarit kishte qenë e frytshme.
Pas kësaj dite shqiptarët e kuptuan se lufta ishte e domosdoshme, se ajo ishte në prag dhe se nuk kishte asnjë rrugë tjetër. Njeriu që ishte vënë në krye të atyre që kishin vendosur të luftonin tashmë u ishte përgjigjur të gjitha dyshimeve dhe pyetjeve të lodhshme: “A mund të luftohet me Serbinë”, “A do ja dalim”, “deri ku mund të shkojmë’, etj etj. Ndryshe nga sa do të thoshte çdo ditë të premte në konferencat e lodhshme të shtypit njeriu i vetmuar i Velanisë se, “Kosova në një luftë me Serbinë nuk mund të qëndrojë as dy tri ditë”, njeriu i heshtur, Adem Jashari, kishte bërë deri me 22 janar vetëm “dy konferenca”, të dyja me armët që kishte ai dhe shokët e tij, dhe të dyja e kishin zgjuar popullin e Kosovës më shumë se miliona fjalë të pabukshme.
Pas 22 janarit, të dyja palët, sepse tashti ishin dy palë si në çdo luftë, mendojnë e ka ardhur koha e ditës së fundme: serbët mendojnë se ka ardhur koha e ditës së fundme të Adem Jasharit dhe me këtë do të shkatërrohet e gjithë ngrehina e ngritur prej tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës; Adem Jashari mendon se ka ardhur dita e fundme e pushtimit serb të Kosovës. Janë dy llogari të ndryshme, të cilat, dashje pa dashje, duke qenë jo vetëm të ndryshme, por edhe thelbësisht të kundërta, do të sillnin patjetër një ditë tjetër. Cila do të ishte ajo?
Serbia po bënte gati rreth 5 000 trupa elitë për rrethimin e madh, të tretin të Jasharëve. Adem Jashari po bëhej gati të niste luftën e madhe. Serbia thirrej e çirrej se këtu kishte qenë djepi i saj, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kërkonte asgjë më shumë se sa të gjitha popujt e botës: mëvetësinë në trojet e veta, shtetin e tyre, bashkimin e kombit. Ishte një dëshirë tejet fisnike e njerëzore, të cilën mund ta sjellin vetëm ata që janë të denjë për t’u flijuar në emër të saj.
Nëse do të kishte qenë vetëm kaq, gjërat do të ishin shumë më lehtë. Në skenën politike të Kosovës do të shfaqeshin, herë denjësisht dhe herë mjerueshëm, dy skaje, të cilat, sado që do të përpiqeshin vite më vonë t’i paraqitnin në një të vetme, nuk do të ishin ashtu.
Koha do të provonte se dy njerëzit që ishin në dy skajet e një litari do të kishin filozofi të ndryshme politike, vizione të ndryshme, burrëri të ndryshme. Njëri nga Velania, mbështjellë pas shallit, do të predikonte heshtjen, durimin, përuljen dhe kur do të vinte një ditë e ardhshme, do i bënte thirrje të gjithëve të nënshtroheshin, të ndaloheshin bombardimet, pasi familja e tij, gjoja e kidnapuar, ishte në rrezik. Tjetri do të bënte thirrje për qëndresë, për ringritje, për ruajtjen e emrit dhe të identitetit, për shpalosjen e flamurit, i gatshëm të vetëflijohej, jo fillikat, por me të gjithë njerëzit e tij. Njëri do të përpiqej të sillte në politikën shqiptare teorinë e “mos kundërshtimit të se keqes me dhunë”, tjetri do të bënte të veten thënien e famshme të Jusuf Gërvallës “në ballë të këtij populli dhe në ballë të tij vdekja do na vijë si përjetimi më i bukur i jetës sime”. (Fund)