Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet komunës së Mitrovicës dhe Infrakos-it
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur të premten në një takim ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Infrakos-it, Xhevat Ramosaj, drejtorin e departamentit të Financave, Zymer Zekaj, dhe drejtorin e Pronës, Rrahim Tërnava, me ç’rast kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në mes të dy institucioneve.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Hysen Muzliukaj, dhe drejtori për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Besnik Beka.
Përmes marrëveshjes së nënshkruar nga komuna e Mitrovicës dhe Infrakos-i është arritur bashkëpunimi në këto fusha siç janë: riorganizimi i aspekteve të sigurisë hekurudhore brenda qytetit të Mitrovicës dhe rregullimin ligjor të pronës së Infrakos-it, komuna nuk do ta pengojë projektin e rehabilitimit të linjave dhe objekteve tjera hekurudhore dhe se do ta ndihmojë në çdo aspekt Infrakos-in, si dhe koordinimin e të gjitha çështjeve lidhur me infrastrukturën hekurudhore, infrastrukturën e komunës që ndërlidhet me pronën apo infrastrukturën hekurudhore me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve në interes publik, në interes të dy entiteteve dhe aspekteve të tjera të bashkëpunimit në funksion të interesit publik.
Në fund të takimit, Bahtiri dhe Ramosaj janë dakorduar se përveç marrëveshjes së nënshkruar, të kenë komunikime më të shpeshta për çështje që kanë të bëjnë mes Komunës dhe Infrakos-it, në mënyrë që bashkëpunimi të jetë më efikas.