
32 milionë euro për zgjerimin e rrugës Kijevë-Dollc, kompanitë akuzojnë ministrin për korrupsion
Zgjerimet e rrugëve nacionale i kanë shtuar shumë punë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastruktrës.
Neni 60, Kriteret për Dhënien e Kontratës, pika një e këtij neni në Ligjin për Prokurim Publik thotë: “Autoriteti kontraktues do t’ia japë kontratën publike operatorit ekonomik që ka dorëzuar tenderin e përgjegjshëm me çmimin më të ulët”. Ky është rregulli bazë i funksionimit të secilit proces të prokurimit që paguhet me paratë e tatimpaguesve kosovarë.
Historia e sotme flet për zgjerimin e rrugës më të përfolur të kohëve të fundit, Kijevë-Dollc, një histori që është e vështirë t’i bie në fije, dhe vetë Aliu që e premtoi e Durmishi që i përzgjodhi kontraktorët.
Menjëherë pas përzgjedhjes së operatorëve, dhjetëra kompani u ankuan në Gjykatën e Tenderëve, me pretendimin se Ministria, e cila udhëhiqet nga krahu i djathtë i Kurtit, Liburn Aliu, ka favorizuar operatorët ekonomikë të cilët u shpallën fitues për 4 lotet e vazhdimit të trasesë së magjistrales Pejë–Prishtinë, saktësisht nga Kijeva deri në Dollc.
E renditur si kompania e nëntë sipas çmimit, kompania fituese për Lot 1 u përzgjodh “R&Rukolli” në konsorcium me “SABA BELCA” (Dega në Kosovë), “ELMAZAJ KONSTRUKSION” dhe “Tekno-Konstrukt SH.P.K” – një konsorcium kosovaro-shqiptar.