32 vjet nga Epopeja e Kodrës së Diellit
Shkruan: Ramadan AVDIU
Më 2 Nëntor po bëhen 32 vjet nga dita kur eskadronët e vdekjes të UDB-së, policisë e ushtrisë jugosllave, si dhe kuislingëve shqiptarë, bashkëpunëtorëve besnik të tyre me Jusuf Karakushin në krye, në lagjen e Kodrës së Diellit në Prishtinë shkëputën nga jeta dy veprimtarët më aktiv të Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës dhe të Lëvizjes Kombëtare në përgjithësi të periudhës 1988 ‘89, Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun.
Të flitet për jetën veprimtarinë, moralin përgatitjen teorike, aftësitë organizative, shëmbëlltyrën, vendosmërinë, përkushtimin dhe guximin e dëshmorëve të Kodrës së Diellit do të duhej shumë kohë dhe shumë hapsirë.
Mbase edhe shumëkush do të pyeste: Si arritën këta të rinjë për kohë kaq të shkurtër të jetës së tyre ti grumbullojnë në vete të gjitha këto vyrtyte…?
Si Afrimi ashtu edhe Fahriu si nxënës të shkollës së mesme e kishin filluar aktivitetin e tyre revolucionar kundër pushtuesve serbo-jugosllav dhe për asnjë çast nuk e pushuan angazhimin e tyre çlirimtar.
Në shkurtin e vitit 1984, në moshën 19 vjeçare, Afrimi arrestohet në kazermën ushtarake të UJ, në Banja Llukë dhe dërgohet në burgun e Prishtinës.
Gjykata antipopullore e qarkut në Prishtinë, në Qershor të vitit 1984, në procesin gjyqësor kundër Organizatës Fronti Nacional Çlirimtar i Kosovës, Afrimin e dënon me 8 vite burg, nga të cilat 4 i mbajti në burgjet e Prishtinës, Mitrovicës në Kosovë dhe në kazamatin e Pozharevcit në Serbi.
Përderisa Afrimi kalonte nepër rrathët e burgut famëkeq të Pozharevcit, ku përkundër të gjitha vështirësive që i kishte për katër vite sa qëndroi në burg studionte me zellë, Fahriu me përkushtimin më të madh punonte drejt zgjërimit dhe afirmimit të luftës së drejtë të popullit tonë kudo në Kosovë dhe vise të saja, bile edhe më larg si në Bukuresht të Rumanisë, ku për një kohë të shkurtër sa qëndroi në këtë qytet kishte krijuar kontakte me krijues e intelektual rumun të cilët i kishte njoftuar me gjendjen e rëndë të popullit shqiptar nën ish Jugosllavi…
Daljes së Afrimit nga burgu në shkurt të vitit 1988 iu gëzuan të gjithë shokët. Iu gëzua edhe Fahriu ndonëse nuk e njihte që më parë, por pas pak kohe do të njihen në zjarrin e luftës, zjarrë në të cilin u kalitën pastaj.
Vetëm pak kohë iu desht Afrimit që bashkë me shokun e burgt dhe të luftës, tashmë po ashtu dëshmor Fadil Vatën, të gjenden në ballë të Lëvizjes studentore në fund të vitit 1988, dhe në fillim të vitit 1989, si dhe në ballë të Lëvizjes së organizuar të rezistencës në antipushtuese në Kosovë.
Në të gjitha demonstratat dhe manifestimit e protestës kundër pushtuesve në këtë kohë Afrimi dhe Fahriu do të jenë në ballë të tyre. Të gjitha traktet që ishin shumë të shpeshta në këtë kohë, dilnin nga dora e Afrimit dhe Fadilit Vatës.
Përkohësisht nga aktiviteti i drejtëpërdrejtë në Kosovë Afrimi u shkëput në maj të vitit 1989, kur shkoi në ushtrinë jugosllave për herë të dytë, ngase para burgut në ushtar në Ushtrinë jugosllave i kishte bërë pesë muaj. Edhe aty nuk mundi të qëndroi sepse mendjen e kishte në Kosovë tek lufta dhe shokët. Në shtator të vitit 1989 pas arrestimit të disa veprimtarëve të LPK-së, ai braktisi kazermën dhe u kthye në Kosovë, ku iu nënshtrua jetës jetës në fshehtësi të të thellë.
Në të gjitha aktivitetet kundër pushtuesve në radhët e para gjithmonë janë gjetur diku Afrimi e diku Fahriu deri në frymën e fundit të tyre. Ata ku e bënin një natë nuk i zinte tjetra. Gjithmonë ishin në kontakt me shokët, i udhëzonin, i sqaronin, i këshillonin për punët që duhej kryer si dhe për të gjitha problemet dhe vështirësit organizative që paraqiteshin.
Përkundër aktivitetit të parreshtur në rrafshin organizativ Afrimi gjente kohë edhe për të trajtuar probleme të ndryshme shkencore, për të bërë analiza politike të cilat botoheshin dhe shpërndaheshin dorë më dorë. Në fakultetin Filozofik të Prishtinës edhe profesorët çuditeshin me aftësit teorike dhe mënyren e trjtimit të problemeve nga Afrimi.
Afrimi dhe Fahriu ishin të vetëdijshëm për rrezikun që iu kanosej nga kthetrat e UDB-së. Ata ishin betuar se në dorë të armikut nuk do të binin të gjallë.
Në fund të tetori t të vitit 1989, ndonëse ishin të rrezikuar ata nuk mund të rrinin pa iu bashkuar demonstratave që u organizuan në këtë kohë. Me një nëntor sapo filloi demonstrata në qendër të Prishtinës ata do të jenë në rreshtat e pare. Fahriu me shkathtësinë që kishte hapi dyert e shkollës së mesme atëherë 19 Nëntori në Prishtinë dhe u mundësoi nxënësve ti bashkoheshin demonstrates, kurse me vonë para një mase prej afërsisht 12 mijë vetave Afrimi mbanë fjalim ku ndër të tjera do të thotë.
“Vëllëzër dhe motra jemi tubuar këtu që me forcë ta ngrejmë zërin kundër pushtuesve shovinist serbo-maqedono-malazez të cilët po ushtrojnë dhunë e terror mbi popullin tonë, të cilët vazhdojnë të mbajnë Kosovën tonë të shtrenjtë të okupuar e në pozitë koloniale…
Ka ardhur koha kur këtë zë duhet ta themi edhe më fuqishëm edhe më të organizuar andaj të tubohemi rreth Lëvizjes dhe kushtrimin e lirisë ta qojmë në çdo shtëpi shqiptare”
Të nesërmen me 2 nëntor Afrimi dhe Fahri do të gjenden të rrethur nga forca të shumta të policisë pushtuese dhe të lakejve të tyre të bindur në lagjen e Kodrës së Diellit në Prishtinë.
Me dy armë që kishin Afrimi dhe Fahriu fillojnë një luftë të pabarabartë me njesitë speciale të policisë pushtuese dhe për dhjetë orë rresht luftuan e nuk u dhanë derisa trupin e njomë të Afrimit njëzet e katër vjeçar e qëlluan shtatë plumba, ndërsa për të shuar jetën e Fahriut njëzet e gjashtë vjeçar nuk mjaftuan vetëm plumbat, por u përdorën edhe helmet kimike të luftës.
Rënia heroike me armë në dorë dhe luftë të drejtpërdrejtë me forcat pushtuese policoro ushtarake serbe, motivoi shumë të rinjë e të reja të ndjekun rrugën e lirisë të trasuar nga heronjët Afrim Zhitija e Fahri Fazliu. Ata ishin pararëndësit e një gjenerate të re luftëtarësh të cilët vazhduan luftën të rreshtuar në LPK thelleuan rezistencën për të shkuar drejt themelimit dhe forcimit të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila e ndihmuar nga aleanca veriaatlantike arriti ta çliroi Kosovën, duke e vënë atë në rrugën e Pavarësimit të plotë nga Serbia, me çka realizohet ëndrra e heronjëve që për liri dhanë gjithaçka që paten…
Ndonëse ishin shumë të rinjë në moshë, Afrimi dhe Fahriu me punën e tyre të palodhshme drejt çlirimit të atdheut, si dhe me aktin e tyre të rënies heroike morën pavdekësinë. Ata populli ynë i kujton gjithmonë me krenari dhe pietet.
I përjetshëm do të jetë kujtimi për ta!
Lavdi për jetë e mot jetës dhe veprës së heronjëve Afrim Zhita, Fahri Fazliu dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë, të cilët janë më meritorët që sot populli ynë jeton punon dhe vepron lirshëm në Kosovën tonë të pavarur e sovrane!