32-vjetori i pavarësisë së Maqedonisë, Ali Ahmeti: Kjo tokë është vendlindja jonë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar qytetarët e Maqedonisë së Veriut me rastin e 32-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Ahmeti ka thënë se çdo e arritur e këtij vendi ka vulën e kontributit të të gjithë popujve që “jetojnë e veprojnë këtu me të njëjtat aspirata progresive”.
“Të nderuar qytetarë, sot vendi ynë shënon 32-vjetorin e pavarësisë, një rrugëtim i gjatë sfidash të tejkaluara me sukses falë vendosshmërisë sonë për të hapëruar drejt përparimit. Çdo e arritur e këtij vendi ka vulën e kontributit të të gjithë popujve që jetojnë e veprojnë këtu me të njëjtat aspirata progresive.Liri, barazi, paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, bashkëpunim ndërfqinjëor, partneritet properëndimor, NATO dhe Bashkim Evropian ishin kryefjala e kapitujve që i shkruam së bashku. Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës dhe ajo e fqinjësisë së mirë janë bazamenti i progresit të shënuar përmes pajtimit dhe vetëdijësimit se vetëm bashkë mund të thyejmë çdo barrierë penguese”.
“Sot le të kujtojmë edhe të gjitha tendencat dezorientuese, stërkëmbëzat e vendosura dhe skepticizimin e shumë forcave regresive të mposhtur me vepra, për të mos lejuar stagnimin dhe vonesat e panevojshme tani në çastet vendimtare për të ardhmen tonë evropiane. Kjo tokë është vendlindja jonë, prandaj bashkë nën frymëzimin e të arriturave të deritanishme, le të vazhdojmë hapërimin drejt horizontit të Bashkimit Evropian, aty ku e kemi vendin. Gëzuar 8 Shtatorin – Ditën e Pavarësisë së vendit tonë!”, ka shkruar Ahmeti në “Facebook”.