Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja për të ndaluar përhapjen e pandemisë Covid-19, pasi vendi ka shënuar numrin më të madh të fatalitetit dhe infektimeve në një ditë. Nga data 6 korrik, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komunat: Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri, përveç në raste emergjente, raporton “Epoka e re”.
Po ashtu, nga data 6 korrik, të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme): Iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Sonte në Prishtinë, ora e parë e masave kufizuese ishte premtuese, shihej më pak lëvizje e qytetarëve, po ashtu edhe e veturave.
Gjithashtu filluan të mbyllen edhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë, me përjashtim te ndonjë.
Vetëm ditën e shtunë në Kosovë kanë vdekur tetë persona, si dhe 178 të tjerë janë infektuar me Covid-19. Ndërkaq të dielën kanë vdekur edhe pesë të tjerë dhe 152 raste të infektimit. Deri më tani nga Covid-19 kanë vdekur 75 persona, të cilët thuhet se kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese. (Epoka e re)