Masat e reja kufizuese anti Covid në kryeqytet, kryesisht po respektohen (Video / Foto)
Edhe në natën e tretë të masave të reja që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për të ndaluar përhapjen e pandemisë Covid-19 në disa komuna, ku numri i të infektuarve është rritur, kryesisht po respektohen, e njëjta gjë po shihet edhe në Prishtinë.
Nga ora 21:00 shihet më pak qarkullim i qytetarëve dhe i veturave në kryeqytet, duke përjashtuar rastet emergjente.
Kryesisht ka lëvizje të patrullave policore, taksive dhe të automjeteve që shpërndajnë ushqim me porosi, raporton “Epoka e re”.
Me masat e reja që nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit të ndalohet qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave.
Po ashtu, masa kufizuese kanë po me të njëjtin orar edhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme).
Që nga shfaqja e rasteve të para me Covid-19 në Kosovë, në mesin e muajit mars të këtij viti, institucionet shëndetësore në Kosovë dhe Ministria e Shëndetësisë, kanë ndërmarrë masa të ndryshme anti Covid.
Kjo pandemi, deri më 7 korrik, në bazë të raportimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka marrë 86 jetë.
Numri total i rasteve pozitive me Covid-19 në Kosovë është 4100.
Numrat e personave të infektuar, të shëruar dhe të rasteve aktive, si dhe të rasteve të vdekjes, janë publikuar çdo ditë me specifika të veçanta nga IKSHPK-ja në faqen e saj në rrjetin social “Facebook” si dhe herë pas here edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Shërbimi Spitalor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (SHSQKUK).
(Epoka e re)