
Vazhdon respektimi i masave të reja kufizuese në kryeqytet (Video / Foto)
Edhe në natën e katërt në Prishtinë po respektohen masat e reja kufizuese që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për të ndaluar përhapjen e pandemisë Covid-19, pas rritjes së numrit me të infektuar nga ky virus.
Në kryeqytet edhe sonte prej orës 21:00 ka pasur lëvizje të pakëta të veturave dhe të njerëzve.
Edhe kafenetë në Prishtinë nga ora 21:00 janë duke e respektuar masën e vendosur nga qeveria për kufizim të lëvizjes së lirë.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit të ndalohet qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre
Gjithashtu, masa kufizuese po me të njëjtin orar kanë edhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme).
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, numri total i rasteve pozitive me Covid-19 është 4.307 nga 26.916 persona të dyshimtë, me gjithsej 94 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Ndërkaq numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2.095.
(Epoka e re)