Shqipëri: Një e vdekur nga koronavirusi dhe 82 raste të reja
Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit një 69-vjeçare nga Shkodra ka humbur jetën nga koronavirusi.
Po ashtu, sipas kësaj ministrie nga 331 testime të bëra 82 raste kanë rezultuar pozitive me Covid-19.
“Në 24 orët e fundit, nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen një 69-vjeçare nga Shkodra, e shtruar në gjendje të rëndë, megjithë trajtimin dhe përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve. Vijon të ketë shtrime të reja në të dy spitalet dhe situata paraqitet serioze. Aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin Infektiv dhe spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ po trajtohen 123 pacientë, 17 në terapi intensive dhe 1 pacient është i intubuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 331 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste pozitive”, ka njoftuar Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik.