Osmani: Mbrojtja e mjedisit, e drejtë kushtetuese e qytetarëve të Kosovës
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur të martën një takim online me përfaqësuesen e organizatës joqeveritare OJQ “Pishtarët”, Shpresa Loshaj, me të cilën ka diskutuar në lidhje me çështjne e degradimit të mjedisit në vendin tonë si rezultat i ndërtimit të hidrocentraleve me kapacitet të vogël gjenerues, ku në veçanti është trajtuar rasti i tri hidrocentraleve të ndërtuara në komunën e Deçanit.
Fillimisht, Osmani e ka përgëzuar Loshajn dhe aktivistët ambientalitë për punën që po bëjnë për ngritjen e vetëdijës qytetare për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
“Degradimi i mjedisit në emër të promovimit të investimeve në burime të ripërtërishme të energjisë është i papranueshëm. Ekzistojnë mënyra të duhura se si këto investime mund të realizohen me sukses, e kjo bëhet gjithmonë në konsultim të ngushtë me qytetarët e Kosovës”, ka thënë kryetarja Osmani.
Ajo ka thënë se përveç kompanive investuese, përgjegjësia bie tek institucionet vendore, dhe të dyja palët duhet të sigurohen që investimet të bëhen konform ligjeve, e jo konform interesave të një grupi të vogël të interesit.
Në këtë takim, Loshaj e ka ndritur edhe çështjen e padive dhe kërcënimeve që po i bëhen asaj dhe aktivistëve nga kompania investuese në komunën e Deçanit.
Lidhur me këtë, Osmani ka theksuar se liria e shprehjes nuk guxon të kërcënohet nga askush dhe se ngritja e një padie strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut (SLAPP) ndaj njërit prej aktivistëve, me qëllimin të heshtë dhe frikësojë kritikët, duke i ngarkuar ata me kosto të lartë të mbrojtjes ligjore në mënyrë që të braktisin kundërshtimin e tyre, është pikërisht një kanosje e drejtpërdrejt ndaj lirisë së shprehjes.
“Do të angazhohem personalisht të ngriti vetëdijen rreth rëndësisë së mbrojtjes së mjedisit dhe lirisë së shprehjes. Gjersa, përmes një komisioni hetimor parlamentar, do të angazhohemi që të trajtojmë përmbajtësisht dhe të sqarojmë përfundimisht aspektin ligjor të këtyre hidrocentraleve. Shpresojmë që edhe Qeveria do të ndjekë të njëjtin shembull”, është shprehur Osmani.