Hoti kërkon mobilizim të përgjithshëm për fillimin e vitit të ri shkollor
Me kërkesë të kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka organizuar të martën një takim virtual me kryetarët e komunave dhe me drejtorët e Departamenteve Komunale të Arsimit (DKA), në të cilin është diskutuar për përgatitjet finale që po i bëjnë institucionet e vendit për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.
Në këtë bashkëbisedim kanë marrë pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është përfaqësuar nga Merita Koçinaj – Berisha, e cila njëherësh është edhe prorektore e Universitetit të Prishtinës.
Me këtë rast, Hoti ka kërkuar nga të gjitha institucionet relevante të arsimit në vend që t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për ta filluar sa më mbarë vitin e ri akademik, por gjithnjë duke i marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve të shëndetësisë për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.
Ndërsa ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASh), Ramë Likaj, ka theksuar se kjo ministri është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.
Likaj gjatë këtij bashkëbisedimi ka paraqitur tre skenarët e kësaj ministrie për fillimin e vitit të ri shkollor, të cilët janë: skenari “A”, rikthimi në ambientet shkollore, ai “B”, mësimi i kombinuar, dhe skenari “C”, mësimi nga platformat e ndryshme.
Në këtë takim, pjesëmarrësit janë pajtuar që opsionet e MASh-it të shndërrohen sa më parë në vendime dhe si të tilla t’u dërgohen Departamenteve Komunale të Arsimit (DK), të cilat, varësisht nga kapacitet që kanë, duhet të përcaktohen se cilin opsion do ta zbatojnë në komunën e tyre.
“Sidoqoftë, mbizotëroi qëndrimi se, sidomos për klasat e ulëta, prioritet t’i jepet mundësisë së pjesëmarrjes fizike të nxënësve në procesin mësimor, nëse këtë e mundësojnë kushtet epidemiologjike. Kryeministri Hoti kërkoi bashkërendim veprimesh institucionale në fushë të sigurisë”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.