34-vjetori i Kuvendit të Verrave të Llukës të Pajtimit të Gjaqeve
Sadik ZEQIRI
Më 29 janar 1990, ish-të burgosurit politikë, studentë të Universitetit të Prishtinës, të njohur si Grupi i të Rinjve të Pejës, Have Shala, Myrvete Dreshaj, Adem Grabovci, Lulëzim Etemaj dhe Brahim Dreshaj morën vendimin të fillojnë Aksionin për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave në Kosovë.
Të përkrahur nga plaku i urtë Anton Çetta dhe profesor Zekeria Cana, ndërhyrjen e parë e bënë më 2 shkurt 1990 në fshatin Lumbardh të Deçanit, ku kërkuan faljen e gjakut. Ia arritën të marrin vetëm një besë dymuajshe.
Ky aksion u shndërrua shpejt në Lëvizje Gjithëpopullore.
Thirrja e Bacës Adem Demaçi: “Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit”!, ishte shndërruar në moto të tij mobilizuese. Dhe, përkrahja si dhe rezultatet shtoheshin çdo ditë. Brenda pak muajsh, nga falja e gjaqeve nëpër oda, filluan tubimet masive.
Tubimi te Verrat e Llukës, i mbajtur më 1 maj 1990, është tubimi më i madh që është mbajtur ndonjëherë në gjithë historinë e popullit shqiptar, jo vetëm për pajtimin e gjaqeve.
Ai ka shënuar përvjetorin e 80-të të Kuvendit historik të Verrave të Llukës të vitit 1910, i cili kishte zhvilluar punimet nën drejtimin e Shaban Binakut, Isa Boletinit, Sulejman Batushës dhe të krerëve të tjerë të lëvizjes kombëtare. Duke qenë se në vitin 1910 shumica e krahinave të Vilajetit të Kosovës ishin përfshirë nga kryengritja e armatosur, krahas vendimeve të tjera, në të ishte vendosur që të bëhej edhe pajtimi i të gjitha gjaqeve deri në Shën Mitër.
Sot është 34- vjetori i mbajtjes së Tubimit të Verrave të Llukës të Pajtimit të Gjaqeve.
Sado që ai u mbajt në rrethim të plotë nga forcat speciale policore serbe, të motorizuara dhe të blinduara, në të morën pjesë mbi 500 mijë shqiptarë.
Rezultati i arritur- 106 pajtime: 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.
Kuvendi i Verrave të Llukës u organizua nga nismëtarët e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë, Myrvete Dreshaj, Have Shala, Adem Grabovci, Lulëzim Etemaj dhe Brahim Dreshaj, në bashkëpunim me Këshillin e Pajtimit të Gjaqeve në Deçan.
Tubimin e drejtuan Jashar Salihu dhe Have Shala. Në mbështetje të tyre, në binën madhështore do të gjenden Anton Çetta, Zekeria Cana, Dom Lush Gjergji, Mulla Idriz Kakrruki, Mujë Rugova, Ramiz Kelmendi, kurse vendi i nderit do t’i jepej nënës së pishtarëve të lëvizjes sonë çlirimtare kombëtare, heronjve të Kosovës Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Ajshe Gërvalla.