35 % e të punësuarve në Kosovë punojnë në të zezën

10 tetor 2022 | 08:50

Projekti i formalizmit nga Administrata Tatimore e Kosovës deri në shtator të këtij viti ka arritur të identifikojë rreth 4 500 punëtorë pa kontrata pune.

Sektori i ndërtimtarisë, bujqësisë dhe gastronomisë vazhdojnë të jenë shmangësit më të mëdhenj të regjistrimit të punëtorëve.

Që nga nëntori i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2022 Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur të identifikojnë 4 413 punëtorë të paregjistruar në punë.

Zëdhënësja e ATK-së,  Valentina Bytyqi- Sefa, duke folur për Radio Kosovën, thotë se në treg ende ka numër të madh të punëtorëve të paregjistruar, të cilët ATK-ja është duke i identifikuar në vazhdimësi.

“E dimë që ka ende punëtorë të paformalizuar në treg, në mungesë të uniformës në shumë raste të punëtorëve, është problem i madh identifikimi i tyre, p.sh në një punëtori apo vend-punishte të caktuar të një biznesi, sepse janë shumë faktor të tjerë të cilët e mundësojnë shtrirjen e këtij aktiviteti, sepse në rast se do të respektohen rregullat dhe kriteret e punës në një vend-punishte, p.sh helmetat, jeleku dhe pjesë të tjera, atëherë edhe puna në teren do të ishte më efektive”, deklaroi Bytyqi-Sefa.

Në hulumtimet e Aleancës Kosovare të Bizneseve, rezulton se shkalla e informalitetit  në vend është rreth 35 për qind.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thotë për Radio Kosovën se këtu përfshihen ndërtimtaria, bujqësia dhe sektorë të tjerë.

“Në studimet tona del se mbi 74 për qind të të punësuarve kanë kontrata të përhershme, ndërsa pjesa tjetër kanë kontratë të përkohshme apo rreth 4 për qind janë deklaruar se nuk kanë kontrata pune, dhe kjo situatë është më shumë në sezonin veror ku ka punësim jashtëligjor në bujqësi, gastronomi e sektorë të tjerë”, tha Shahini.

Avokati Anton Nrecaj thotë për Radio Kosovën se sektori privat vazhdon ta evitojë pjesën e obligimeve që i takon punëtorit.

“Një problem tjetër në sektorin privat është se një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve nuk kanë kontrata, sepse sektori privat vazhdon t’i ikë pjesës së ekonomisë informale, eviton pjesën e obligimeve dhe detyrimeve që  rrjedhin si punëdhënës, në mënyrë që përdorin mjetin e mashtrimit se kinse nëse donë rrogën më të madhe, ne duhet të mos bëjmë kontratë”, shtoi Nrecaj.

Sidoqoftë, Administrata Tatimore e Kosovës aktualisht në terren ka rreth 300 inspektorë e, sipas zëdhënëses Bytyqi-Sefa, në vazhdimësi është ngritur nevoja për rritjen e numrit të inspektorëve në terren në nivel vendi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka akuzuar Ukrainën për sulmin e…