35 vjeçarja që u lëndua pas rrëzimit të lisit në Prishtinë, niset për shërim jashtë vendit
35 vjeçarja e cila ishte lënduar gjatë ditës së djeshme nga rrëzimi i lisit në lagjen “Pejton” në Prishtinë, është dërguar për shërim jashtë vendit.
Kështu tha për Klankosova.tv mjeku Sami Bajçinca.
“Ajo në orët e vona të mbrëmjes është nisur për shërim jashtë vendit. Ka shkuar për trajtim në Shkup. Domethënë me rekomandim të kirurgëve spital ajo ka shkuar jashtë për t’u mjekuar” – tha Bajçinca.
Bajçinca ka folur për gjendjen e 35 vjeçares.
Ai theksoi se pasojat e lëndimit mund të shihen më vonë.
Sipas tij ajo rrezikon edhe të mbetet e palëvizshme.
“Gjendja e saj sipas trajtimit në emergjencë është stabile. Domethënë me tension e me vetëdije është stabile. Por, lëndimet janë të rënda. Ajo e ka të humbur përkohësisht lëvizjen dhe rrezikohet të mbetet e palëvizshme për tërë jetën” – theksoi ai.
“Ajo ka lëndime serioze. Ka marrë lëndime në palcën kurrizore, ka të thyera unazat e shpinës, qafës, eshtra ” – tha Bajçinca.
Si pasojë e motit të lig, gjatë ditës së djeshme në Prishtinë e humbi jetën një 30 vjeçar nga Podujeva.
Vdekja e tij erdhi si pasojë e goditjes nga një lis, i cili u rrëzua si pasojë e erërave të forta.