35 vjet nga burgosja e parë, Grabovci jep detaje se si ishte arrestuar nga Serbia në vitin 1984
Adem Grabovci njeri nga figurat e larta të UÇK-së ka përkujtuar 38-vjetorin e burgimit të parë nga Serbia.
Ai ka bërë me dije se pas qëndrimit në burg për pesë vjet, së bashku me veprimtarë të asaj kohe kanë nisur aksionin e pajtimit të gjaqeve për të vazhduar me organizimin e luftës çlirimtare.
Grabovci ka thënë se është krenar me të kaluarën e tij dhe të bashkëveprimtarëve të tij të cilët punuan pareshtur për lirinë e Kosovës.
“Sot, bëhen 38 vjet nga burgosja e parë. Ishte viti 1984, pasi që ramë shumë në sy, pas përcjelljeve të shumta nga sigurimi famëkeq i asaj kohe, ata arritën që mua e shumë shokëve tjerë të na arrestonin! Pas 5 viteve në burg, nuk isha i njëjti fizikisht, por forca veç më ishte shtuar”.
“Sa goditja që merrja aq më afër më vinte liria e vendit. Ahhh sa i kënaqur që isha që pata mundësi të merrja goditje çnjerëzore nga dora e tyre, e në të njëjtën kohë i shihja të tërbuar. Sepse, me dukej se bëheshin edhe më nervoz nga qëndresa jonë. Pas pak kohe (lirimi nga burgu i Pozharevcit), ndodhi ri-burgosja. Edhe atëherë qëndruam fortë, sepse po afroheshin ditë e organizimit. Na prisnin nismat e mëdha, si ajo e Pajtimit Kombëtar të Gjaqeve, na prisnin shokët për të nisur luftën politike dhe të armatosur, e deri të liria. Këto 38 vite, janë dhuratë, sepse si shumë tjerë mund të mos isha më as unë, megjithatë secila ditë tutje dhe angazhim e përpjekje, që ishin titanike, na bënë edhe me krenar. Kujtojmë shokët që ranë në burgjet, kufijtë dhe istikamet e që ranë për t’mos vdekur kurrë!