350.000 franga për targat “ZH 100” dhe beteja ende nuk ka përfunduar
Beteja për të pasur targën mëe numrin më të ulët deri më tani në kantonin e Cyrihut është në rritje: tifozët e makinave kanë mundur të dorëzojnë ofertat për targën “ZH 100” që nga ora 7 e mëngjesit të së enjtes, transmeton albinfo.ch.
Zyra e trafikut rrugor të qytetit të Cyrihut tashmë kishte llogaritur paraprakisht se për targën do të ofroheshin mbi 100 mijë franga.
Çmimi fillestar ishte 4000 franga.
Ndërkaq, pritshmëritë prej kohësh janë tejkaluar. Mbrëmjen e së premtes (deri në orën 19:15), kishin arritur 636 oferta për targën “ZH 100”, shkruan 20minuten.ch. Oferta më e lartë ishte 350,000 franga ndërkohë që gara e ofertave vazhdonte ende. Rekordi i mëparshëm prej 233 mijë frangash për “ZG 10” (në Zug) nga viti 2018 është tashmë histori.
Kantoni i Cyrihut ka nisur të nxjerrë në ankand targa të automjeteve që nga viti 1995. Numrat treshifrorë janë gjithashtu të disponueshëm që nga viti 2017, përcjell albinfo.ch. Targat me numrat ë të vegjël të Cyrihut deri më sot, “ZH 499”, janë nxjerrë në ankand në vitin 2020 për 52,000 CHF. Në kantonin e Cyrihut, më së shumti para janë paguar për targën “ZH 888”. Kjo ka ndodhur në qershor të këtij viti për 194,000 franga.
Ankandi vazhdon deri të mërkurën e javës së ardhshme, më 9 nëntor