Studiuesit e vrimës së zezë fitojnë Çmimin Nobel për Fizikë
Tre shkencëtarë janë shpërblyer me Çmimin Nobel për Fizikë, për punën e tyre në të kuptuarit e vrimave të zeza.
Roger Penrose, Reinhard Genzel dhe Andrea Ghez janë shpallur fitues të këtij viti, gjatë një konference për media të mbajtur në Stokholm.
Fituesit do të ndajnë shumën e të hollave që vjen me këtë çmim në vlerë të 10 miliona krunave suedeze.
Kimisti dhe industrialisti suedez, Alfred Nobel, ka themeluar këtë çmim më 1895 – një vit para se të vdiste.
David Haviland, udhëheqës i Komitetit për Fizikë sa i përket Nobelit, ka thënë se çmimi i këtij viti “feston një prej objekteve më ekzotike në Univers”.
Fizikanti Roger Penrose ka treguar se vrimat e zeza janë pasojë e pashmangshme e teorisë së relativitetit të shkencëtarit Albert Einstein.
Reinhard Genzel dhe Andrea Ghez kanë ofruar të dhënat më të besueshme për një vrimë të zezë tejet të madhe në qendër të galaksisë sonë.