
Poezi nga poeti Sabit Idrizi
LIRIA
Liria ëdhtë e drejta që të mos kemi kurrë të drejtë
Ta bësh pazar diellin
Ajo është gjithçka e mirë që e dëshiron
Edhe për atë tjetrin
Liria është vënja e dorës në zemër
Kur të vjen në shteg të bësh çka të duash.
DASHURIA
Dje
Andaj është kaq e ëmbël
Gërryen
Andaj është kaq e thellë
Dhemb
Andaj është aq e padurueshme
Fshihet
Andaj është aq e përvuajtur
Shpërthen
Andaj është aq e krisur
E ndalojnë
Andaj është aq e lirë
E mbysin
Andaj është aq e përjetshme
Dashuria-
Kjo dallgë e fisme
Që vret.
FLAKË LUFTE
T’u bekoftë mëlçia Promethe
Në zjarrin që na e fale ti
Po digjemi ne.
QYTETI IM
Kotu qyteti im i dyshtë, kotu
Në djep të plumbtë mesjete
Po ta përkundim ëndrrën e zgjimit.
ÇËSHTJE HAMLETIANE
Fjalën
Të dua
Cilado grua që ta thot
Të vë para një tundimi
Ka diçka magjike në këtë fjalë enigmë
Që të futet brenda si vullkan
Si gurgullimë që shtin etjen
Ka diçka në këtë grishje përvëluese
Që trazon thellësisht
Shpërthen a duhet fashit diku
Është çështje hamletiane.
BASHKËSHORTJA IME
(Gruas sime Hajries, e cila po lëngon nga një sëmundje e rëndë)
Nga po resh gjithë kjo verdhësi
Mbi hartën e përhirtë të ëndrrave tua
Kur të pash sot në mëngjes
Aty përpara Shtëpisë së Shëndetit
Thash se nga vetura nuk zbrite ti
Po vet kulmi i vjeshtës
Me atë shikim prej mjegulle
S’dija a po më luteshe për diçka
A po mi shigjetoje vitet e mbetura
Ani
Le të ketë mungesë barërash
Mungesë filmash të rentgenit
Shkelje betimesh të Hipokratit…
Ne do të shkojmë prap te doktoresha Mevlude në Shtupeç
E ta marrim edhe pak mehlem shpirti
Që t’mos na pëlcas kjo fitë këtu
Ndalja nuk është rrugë
Bashkëshortja ime prej ëndrrash
E ne kemi për të shkuar diku.
Mitrovicë, mars 2011
BISEDA E FUNDIT ME TË
Kësmet
Posa t’ja jap syri i pranverës (më tha)
Do t’ja nisim shtëpisë
Po (ja ktheva) do ta ndërtojmë një shtëpi të re
Ndoshta deri atëherë
(vazhdonte me gjysmëzëri)
Do të punësohet bile njëri djalë
Po (ia ktheva, i bindur se po e gënjeja) do të punësohet njëri
Posa ta ndërtojmë shtëpinë (i shkëlqyen sytë nga gëzimi)
Do t’i marrim dy nuse të mira
Po (ia ktheva) do ti martojmë të dy përnjëherë:
Ramadanin dhe Liridonin
Do të na mbushet shtëpia me nipa e mbesa
(u fundis ajo krejtësisht në pellgun e ëndrrave të veta)
Ani kur të na vijnë edhe ata të Linditës, të Albanës…
Po (ia ktheva) do të… dhe dola jashtë ja plasa vajit)
Kur u ktheva sërish në dhomë
Ajo tashmë ishte nisur pakthyeshëm
Dhe po fluturonte drejt yllit të vet
Dy pika loti të kristaltë Që ende po i rrëshqisnin ngadalë faqeve të saj të vyshkura
Po fundosej qetësisht një anije me ëndrra…
NË SHESHIN E DASHURISË
Këtu
Në këtë shesh
Ku për çdo ditë e pi kafen e mëngjesit
Vihet përnjëherë me rrezet e diellit
Po edhe më vonë
Kujtimet do ti kesh përherë më të varfëra
Për një puthje drite
Këtu vihet për ta mbushur dashuri ditën
E për ta mbytur ankthin e natës që shkoj.
UNË DHE LUMI
Po përpiqem t’mos vdes
Pa ta ndalur edhe ty njëherë rrjedhën
Diku pranë brigjeve të mia të etura
Dua ta shoh edhe unë njëherë karshi gjëmën e mallit
Kah ta shkumbon edhe ty atë shtrat të gurtë.
SA LARG
Sa larg
O Zot sa larg
Nga ëndrra e të sotmes
Nga ëndrra e të nesërmes sime
Këta miq të djezhëm
prej shkume
Që po ma hanë kaq bulçishtë
Të ardhmen e fëmijëve.
BRINJËT E ADAMIT
Kur u përzu nga Parajsa
U ndal Adami sypërlotur
Në mes të shkretëtirës së pafund të pendimit
E mendoj për pasardhësit
Dhe kur i numroi të gjithë një nga një
Deri në ditën e madhe të gjykimit
Nxori nga xhepi i thellë i mashtrimit
Vezëllimën verbuese të thikës
Dhe brinjët e veta si shtaga
Do t’ja ndaj secilit pjesën e mëkatit – tha
Dhe i gdhendi deri në një
Me ngenë e një të pavdekshmi
Në miljarda ashkla.
DILEMË POETI
Guaca ime e heshtjes
Cila është në det
Rrugëtoj unë me valën
A ikën ajo vet
Vjen nga jashtë liria
A ndryhet diku n’mua
Thuaje troç o det
Pse t’merr fjala n’thua
Jam unë ky që jam
I derdhur në letër
Është kjo koha ime
Apo ndonjë tjetër
Pse jam para kohës
Kam unë ndonjë faj
Eshtrat kur t’më kalben
Do t’lindem pastaj.
IKU NËNA
(Në varrimin e nënës së poetit dhe studijuesit Miftar Kurti)
Më ike
Shtrojera ime prej rrudhash
Tash
Kur të përhënën dallgët e moteve
Kur të dalldisen erërat
Kujt ti thërras
Ku t’i njomi buzët
Kur t’më thahet goja
E t’më shkrumboj malli
Për këtë emër
Sot
Për herë të fundit po ta puth këtë hartë vuajtjesh
Vizatuar kaq dhembshëm mbi ballin tënd të akullt.