Lladrovci, Veselit: Ti je personalitet i fitoreve
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas paraqitjes së Kadri Veselit në Gjykatën Speciale, duke e quajtur atë personalitet të fitoreve.
Lladrovci ka thënë se Veseli njeh vetëm fitore dhe se do të kthehet faqebardhë nga Haga.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Miku im Kadri,
Vdekjen e kam prit, por jo këtë ditë. Vdekjen po, e kemi pritur shumë herë, por kurrë turpërimin, vdekjen po, kurrë tërheqjen nga rruga e drejtë, vdekjen po, kurrë heqje dorë nga çlirimi prej okupatorit shekullor.
Sot, ashtu si dje, ishte trishtim të dëgjoheshin të vërtetat e rrotulluara për ndërmarrjen më krenare, më të ndritur e më të suksesshme që nga Skënderbeu e këndej. Kjo ndërmarrje e ndritur, ka tri shkronja, UÇK.
Ushtria më e suksesshme e shekullit të 20-të, e tillë do të mbetet përgjithmonë. Sepse, në themel të kësaj ushtrie ishte përkushtimi shekullor atdhetar, gjaku i bijve e bijave më të shquara të kombit. Andaj, gënjeshtrat e gjithë botës, kurrë nuk mund ta shuajnë të vërtetën, të drejtën tonë për liri dhe çlirim.
Shoku im Kadri,
Ti je personalitet i fitoreve, këtë e dinë të gjithë ata që të njohin. Sepse vetëm fitorja për ty është opsion. Prandaj, edhe nga kjo sfidë, bashkë me të tjerët, do të jesh fitimtar e faqebardhë. Të mirëpresim sa më parë, si çdo herë, faqebardhë!