A po e kryejnë bankat detyrën e tyre gjatë pandemisë?

13 dhjetor 2020 | 17:19

Përfaqësues të bankave në Kosovë e kanë vlerësuar si të rëndësishëm rolin e sektorit bankar në rimëkëmbjen ekonomike gjatë dhe pas pandemisë Covid-19. Sipas tyre, bankat janë duke kryer “detyrën” e tyre dhe kanë kapacitete të mjaftueshme financiare dhe operacionale për t’i përmbushur nevojat për financim të korporatave dhe ekonomive familjare të Kosovës. Njohës të çështjeve ekonomike janë pajtuar se bankat janë biznese dhe nuk mund të heqin dorë nga fitimi, por kanë theksuar se në bashkëpunim me qeverinë mund të bëhet më shumë për ta kredituar ekonominë në këtë kohë të vështirë. Kjo mund të bëhet duke dhënë kredi me kushte më të favorshme për bizneset, përfshirë uljen e përqindjes së interesit (që do të subvencionohej nga qeveria), me “greis periudha” më të gjata, etj. Albert Lumezi, drejtor i bordit udhëheqës në Bankën “NLB”, ka thënë për “Ekonomia Online” se roli i bankave në rimëkëmbjen ekonomike që nga fillimi i pandemisë ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm. “Sistemi bankar në Kosovë është mjaft i qëndrueshëm, stabil, mirë i kapitalizuar, si edhe likuid. Prandaj ne në asnjë moment nuk e kemi ndalur kreditimin; kemi vazhduar me një ritëm të njëjtë sikur edhe përpara pandemisë t’i përkrahim të gjitha degët e ekonomisë, sikurse dhe qytetarët e Kosovës. Besoj se ky është kontributi më i madh në rimëkëmbjen ekonomike, pra vazhdimi i kreditimit”, ka thënë Lumezi, duke shtuar se nga fillimi i pandemisë kjo bankë ka dhënë kontributin e saj, duke shtyrë moratoriumin e kredive nga ana e huamarrësve pa llogaritur kamata ndëshkuese. “Trendi i normave të interesit në Kosovë është gjithnjë në zbritje. Nëse i analizojmë normat e interesit edhe në këtë periudhë, prej kuartalit në kuartal, shkojnë duke u zvogëluar në të gjithë sektorin bankar, gjithashtu edhe në ‘NLB’”, ka thënë ai.

Balija: Nuk ka shumë vend për rritjen e kredive

Drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë se përhapja e pandemisë ka ndikuar edhe në sektorin bankar, duke sjell vështirësi operative dhe afariste. “Sa iu përket depozitave, kemi pasur një rritje prej rreth 145 milionë këtë vit, që ka çuar në 4 miliardë euro të depozituara në sektorin bankar. Nga këto 4 miliardë, mbi 70 për qind u takojnë qytetarëve, ekonomive familjare dhe rreth 30 për qind bizneseve. Këto depozita janë rritur falë një trendi pozitiv që kemi pasur ndër vite dhe gjatë pandemisë duket se një pjesë e mirë e qytetarëve kanë vazhduar të kenë të ardhura pa ndërprerë. Sektori publik ka pasur të ardhura të vazhdueshme, gjithashtu edhe për një pjesë të sektorit privat kanë vazhduar që t’i marrin pagat”, është shprehur Balija për “EO”.

Ai ka thënë se gjatë këtyre muajve ka pasur ngecje në kreditim. “Sektori bankar ka kredituar mbi 1 miliard euro këtë vit, që do të thotë se ka pasur një kreditim të ngjashëm me vitin e kaluar. Në fakt, kemi pasur ngecje në kreditim gjatë muajve prill dhe maj, kur ka pasur rënie në kreditim në 65 për qind. Mirëpo me lehtësimin e masave është rikuperuar kreditimi dhe shohim se bankat kanë arritur të kreditojnë mbi 1 miliard euro për ekonominë e vendit”, është shprehur Balija. I pyetur për mundësinë e futjes në ekonomi të këtyre 4 miliardëve të depozituara, drejtori i Shoqatës së Bankave ka theksuar se nuk ka edhe shumë vend për rritjen e kreditimit. “Nëse shohim depozitat të cilët kanë arritur në 4 miliardë euro shohim se rreth 3.2 miliardë euro janë në kredi dhe mbeten 800 milionë euro në likuiditet të sektorit bankar. Këto mjete do të mund të plasoheshin gradualisht varësisht prej dinamikës së rimëkëmbjes ekonomike. Por, për të marrë kredi bizneset dhe ekonomitë familjare duhet të ekzistojë një kapacitet absorbues i tyre. Nuk mund ta ngarkojmë më shumë me kredi”, është shprehur ai.

Pavarësisht prej kritikave publike, Balija ka theksuar se sektori bankar është duke e luajtur rolin vetë për rimëkëmbjen e ekonomisë. “Duhet të jemi të vetëdijshëm se  shoqëria jonë është duke kaluar nëpër një krizë shëndetësore, politike, ekonomike, dhe të gjitha këto bëjnë që shoqëria në Kosovë të ketë nevojë për ndihmë dhe mbështetje. Por, duhet të kuptojmë rolin e sektorit bankar siç është kreditimit i bizneseve dhe ruajtja e depozitave… Bankat kanë bërë tërë atë që është e mundur sa i përket ofrimit të lehtësirave për qytetarët”, ka thënë Balija, duke shtruar se shtyrja e kredive ka qenë veprim i mirë i bankave.

Më tutje, Balija ka theksuar se sektori bankar duhet të ndihmohet me masa konkrete nga qeveria, përfshirë rritjen e kapitalit për fondin kreditor dhe subvencionimin e normave të interesit. Drejtori i Shoqatës së Bankave e ka përkrahur tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti Pensional nga qytetarët pasi, sipas tij, kjo e rritë kërkesën agregate në këtë kohë të vështirë. “Kështu rritet konsumi në Kosovë dhe kjo i ndihmon dhe rritjes ekonomike të vendit”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit, Arieta Vula-Pozhegu, ka folur për vështirësitë e prodhuesve, sidomos në kohën e pandemisë për të siguruar likuiditet. Vula-Pozhegu ka theksuar se e kupton që bankat janë biznese dhe nuk heqin dorë nga fitimet. Por, ajo ka konsideruar se ka vend për uljen e interesave për kredimarrje, që aktualisht, sipas saj, janë mjaft të larta. “Gjithashtu, ‘greis periudha’ e kthimit është shumë e shkurtër. Nëse kjo periudhë do të ishte më e gjatë dhe nëse do të kishim ndryshime në interesin që kompanitë e paguajnë dhe në raste të ndryshme të ketë dhe shkallëzime të tjera, kjo do të ishte një ndihmesë për ne”, është shprehur ajo.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se bankat duhet ta luajnë rolin e tyre në financimin e bizneseve, por ndihma kryesore në këtë kohë pandemie do të duhej të vinte nga qeveria. “Bankat janë aktorë që i financojnë bizneset me kushte të caktuara. Rritet rreziku, rritet edhe kostoja e financimit. Andaj ne këtu kërkojmë që ndihmën duhet ta japë shteti. Sistemi bankar operon si çdo biznes tjetër”, ka thënë Rukiqi.

Sipas tij, nevojitet koordinim dhe bashkëpunim nga të gjithë që të ruhen vendet e punës derisa të kalojë kriza e shkaktuar nga Covid-19.

Për njohësin e çështjeve të ekonomisë, Arton Muhaxhiri, më të goditurat nga pandemia në Kosovë janë bizneset dhe kompanitë private dhe pikërisht këto duhet të ndihmohen më së shumti nga shteti. Muhaxhiri ka theksuar se janë 4 miliardë euro të kursimeve të qytetarëve nëpër bankat komerciale në Kosovës, të cilat, sipas tij, duhet të investohen në ekonomi. Ai ka thënë se bizneset duhet të ndihmohen nga bankat me kredi më afatgjata. “Qeveria një pjesë të interesit e paguan bashkë me biznesin. Janë dy forma, por që te ne nuk po aplikohet asnjëra dhe nuk ka asnjë iniciativë nga bankat në këtë dinamikë të rimëkëmbjes ekonomike. Në bankat tona janë 4 miliardë euro të kursimeve të qytetarëve të Kosovës dhe me një kreativitet të qeverisë duhet t’i nxjerrim jashtë bankave dhe të investojmë diku në Kosovë”, ka thënë Muhaxhiri.

Ai ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti se nuk ka asnjë plan konkret për rimëkëmbjen ekonomike, megjithëse është ekonomist. Guvernatori i Bankës Qendrore (BQK), Fehmi Ahmeti, në një konferencë media para disa ditësh, kishte deklaruar se, përkundër vështirësive ekonomike aktuale, sistemi financiar vazhdon të mbetet i shëndoshë dhe stabil. Sipas parashikimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës këtë vit pritet të shënojë rënie prej rreth 7.2 për qind  si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19, që ndikoi negativisht në pothuajse të gjitha aktivitetet ekonomike në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka publikuar statistikat e…