38 perona infektohen me Covid-19 në klubin e famshëm brazilian
Coronavirus trondit një nga klubet më të mëdhenj të Brazilit dhe si rrjedhojë edhe shpresat e futbollit atje për t’iu kthyer sa më shpejt një normaliteti të ri.
Skuadra i ishte kthyer seancave stërvitore individuale, por pas testeve të para me tamponë 38 persona kanë rezultuar pozitivë me Covid-19. Klubi ka zyrtarizuar lajmin, por nuk ka identifikuar asnjë prej tyre. Por mediat braziliane bëjnë të ditur se tre prej tyre janë futbollistë.
Flamengo testoi 239 pjestarët e tij, përfshirë lojtarët, stafin teknik, drejtuesit dhe punëtorët. Rezultatet me numrin e lartë të të prekurve janë një goditje e rëndë, që pritet të ndikojë edhe në vendimet e ardhshme të qeverisë në lidhje me rinisjen e futbollit.
Pavarësisht këtij lajmi, ato skuadra që janë kthyer në stërvitje kanë vijuar normalisht punën, duke aplikuar një protokoll të rreptë sanitar dhe mjekësor. Të gjithë futbollistëve dhe stafit teknik iu matet tempertura përpara hyrjes në komplekset stërviore si dhe janë të detyruar t’iu nënshtrohen termoskanerit dhe testeve të tjera mjekësore.