POEZI E MODELEVE EVROPIANE TË KOHËSISË SË SOTME
Parathënie
Fjala e përkthyesit
SERVET BYTYÇI
Migena Arllati është një poete e njohur shqiptare, e cila në krijimet e saj paraqitet me një mendim të thellë, me varg inteligjent dhe të kulturuar, sipas modeleve të poezisë evropiane të kohësisë së sotme. Ajo është lindur në një nga qendrat kryesore historike, kulturore, artistike dhe arsimore shqiptare. Qyteti i Elbasanit, me qendër në zemrën e Shqipërisë së sotme, është i shoqëruar me emra të mëdhenj të trashëgimisë shqiptare, sidomos në sferën e gjuhës, letërsisë dhe të arsimit.
Jo vetëm e lindur atje, por edhe e edukuar dhe diplomuar në Universitetin e Elbasanit, ajo bart mendësinë e njeriut modest, duke lënë apriori punën dhe veprat të flasin më qartë se çdokush tjetër.
Në momentin kur ishte gati për të ndërmarrë hapat e parë të ecjes së saj të gjatë jetesore si një vajzë e re e pavarur, plot ëndrra dhe aspirata, koha përkoi me ndryshimet e mëdha në skenën politike e shoqërore shqiptare e ballkanike. Në këtë kohë, ajo u takua dhe u dashurua me Beharin, burrin e saj të ardhshëm, një muzikant nga qyteti i Gjakovës (Kosovë), qytet i cili është në një formë pasqyrim i Elbasanit në disa elemente të kulturës, muzikës, historisë dhe trashëgimisë shqiptare.
Lidhja shpirtërore-dashurore e tyre ndodhi kur mes dy shteteve shqiptare ishte kufiri i dhunshëm arbitrar, dhe Kosova po i nënshtrohej kontrollit më të rreptë nga shtypja brutale e regjimit serb. Duke qenë pjesërisht e vetëdijshme për rreziqet dhe vështirësitë me të cilat do të përballej, ajo ndoqi ndjenjat e saj dhe bashkë me të shoqin shkoi në qytetin e tij të lindjes, ku ndërtuan të ardhmen e tyre (1996). Ky ishte një akt sublim i trimërisë, sakrificës, dashurisë dhe heroizmit dhe la një ndikim të madh në jetën e autores, i cili pasqyrohet që në librin e saj të parë (“Mendime në kornizë”), me plot poezi malli dhe mungese, ku dashuria e ka pushtuar në çdo ind por largësia pamundëson shumëçka, përveç ndjenjës.
Ndërsa libri i tanishëm, “Hoje Dashurie”, vjen si një vëllim sintezë i poezive të saj, që nga vitet dhe kohët e para të shkrimeve e deri në ditët e sotme (1992-2020). Unë pata kënaqësinë dhe privilegjin që të përshkoj këto rreshta dhe ta sjell në gjuhën angleze këtë libër të bukur lirik, shumë emocional.
Në poemthin narrativ dhe autobiografik të titulluar “Peri i gjatë” autorja ka kaluar nëpër vargje të arta, sa të dhimbshme e të dashura, të gjithë udhëtimin e jetës së saj.
Në mitologjinë greke, Zeus, mbreti i perëndive, mund të jepte urdhra dhe ndëshkime për të gjithë të vdekshmit dhe të pavdekshmit, përveç një perëndeshe: Perëndisë së Fatit. Pra, si për ironi të fatit, supersticizmi i gjyshes në këshillimin ndaj së mbesës do të vërtetohej plotësisht:
“Mos e kёput perin tё gjatё
bija ime,
se na martohesh larg
Doruntina ime…!”
Dhe Fati i saj ishte që të shkonte larg familjes dhe të dashurve të saj për të ndërtuar një dashuri tjetër, e cila tani nuk ishte thjesht veç ndjenjë e një vajze të re. Tashmë ishte një mision, përtej personal, përtej familjar.
Në letërsinë tradicionale shqiptare, “Konstandini dhe Doruntina” është një baladë shumë e njohur, e vlerësuar si një nga më interesantet. Ndaj autorja Arllati, paralelizon fatin e saj me atë të Doruntinës, figurës së bijës që u martua shtatë male e shtatë lumenj larg. Ajo, na del si një Doruntinë moderne e Shqipërisë moderne, e cila si destinacion ka vazhdimin e rrugës së saj epike duke kapërcyer lumenj e male për të kaluar nga një tokë shqiptare në tjetrën. E gjithë drama shqiptaro-kosovare është sjellë në duart tona, në këtë mënyrë simbolike nga autorja Migenë-Doruntinë, e cila përveç mitit të legjendës, dashur pa dashur kryen edhe një mision tjetër bashkëkohor, atë të bashkimit të kombit. Kujtoj këtu se martesat mes të rinjve shqiptarë të trevave të ndryshme, që moti janë promovuar si mundësi e ndërlidhjes dhe unitetit mes shqiptarëve, përballë politikave pushtuese dhe përçarëse të mbjella nga të katër anët. Këtë ndërlidhje personale, Migena me plot gojën mund të themi se e ka shndërruar në ndërlidhje kombëtare, së cilës ajo dhe ai (çifti Arllati) tashmë i kanë vënë vulën me familjen e tyre dyfish shqiptare (Shqipëri, Kosovë).
Të përkthesh një poezi ose një libër nga një gjuhë në tjetrën nuk është një punë e lehtë.
Në punën time, me kënaqësi dhe kompetencë jam marrë me përkthime të poezive nga anglishtja në gjuhën shqipe dhe kam ndjerë sadisfaksion, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për vështirësitë. Ndërsa përkthimi i këtij libri nga gjuha ime-gjuha shqipe në botën angleze ishte një gjë disi edhe më e vështirë, pasi më është dashur të përkthej jo vetëm kuptimin e fjalëve, por edhe nënkuptimin emocional, efektin muzikal të vargut, frazave dhe shprehjeve në kontekstin e kuptimit parësor. Poezitë e saj janë aq të realta dhe të thella njëkohësisht, gjë që ma bëri më të lehtë të studioj dhe të luaj me fjalët, për të mbajtur kuptimin thelbësor, gjithmonë në rendin emocional dhe estetik të poezisë origjinale. Por gjërat e vështira bëhen të bukura pasi të jenë arritur rezultatet, dhe unë mendoj se kam bërë një punë të këndshme me anë të sjelljes në gjuhën angleze të poetes së njohur Migena Arllati.
Një shprehje angleze thotë: “Kur thua pak ke thënë më shumë!” Autorja Arllati e ka arritur këtë në kuptimin e plotë. Duke përkthyer poezi të tilla, si: “Hoje dashurie”, “Gjethe vjeshte”, “Këshillë tim biri”, “Një lumë mall”, “Idealizëm”, “Fisnike” etj., lexuesi anglez do të gjejë plot mesazhe puritanizmi dhe një shpirt të pastër në lidhje me jetën, natyrën, stinët, gjethet, zemrën, shpirtin dhe mendjen dhe të gjitha këto janë me të vërtetë një dashuri e kulluar.
Dua ta konkretizoj këtë me poezinë që i ka dhënë titullin gjithë vëllimit:
“…Erërat vërtiten
në cikle ëndrrat renditen
Hoje dashurie
mjaltë prej perëndie!”
Ndër vargjet më të spikatura të saj mund të përmend:
“…Ki kujdes biri im,
sado tё kesh kёpucё tё madhe
mos shkel mbi fate njerёzish,
ki mendjen tё ecёsh butё
tё hapёrosh ndjeshёm
me hapin tёnd mbi botёn
njerёz tё mos shkelёsh!”
ose:
“…Dashuria është kështjella
që bashkon buzët dhe rrufetë!”
Duhet shtuar se poezitë e kësaj autoreje kanë qenë personale (të papublikuara) për një kohë të gjatë. Duke e njohur atë dhe familjen e saj prej disa vitesh, tani duhet të them, se fakti që për kohë të gjata poetja s’ka botuar tregon se ajo krijimtarinë nuk e ka për efekt botimi, publiciteti dhe fame sa për efekt ndjenje dhe vërtetësie të vet qenies.
Personaliteti i saj sot është me ndikim për këtë brez artistësh, poetësh e shkrimtarësh dhe patjetër se do të mbetet me ndikim për brezat që do të vijnë.
Si një intelektuale me shumë vlera midis studiuesve, artistëve dhe veprimtarëve shqiptarë, ajo është kundërshtare e padrejtësisë me ndërgjegjen shoqërore dhe sjell shembullin e saj përmes krijimit dhe librit.
Jam i sigurt që lexuesit anglishtfolës do ta duan librin e saj, duke kuptuar më shumë për poezinë shqipe dhe tendencën e nivelit të saj në rritje dhe barazvlerë me poezinë bashkëkohore evropiane dhe mbarëbotërore.
Londër,
Angli 2020